Pas suksesit të jashtëzakonshëm të edicionit të parë dhe realizimit me sukses të programit Milan Experience në Milano, AC Milan Junior Camp Prishtina ka hapur zyrtarisht edicionin e tij të dytë, i cili do të mbahet nga 22 deri më 26 Qershor 2026.

Ceremonia e hapjes u zhvillua në Sheshin “Zahir Pajaziti”, në kuadër të hapësirës së Prishtina Football Fest, ku njëkohësisht po transmetohen ndeshjet e FIFA World Cup 2026, duke krijuar një atmosferë unike sportive në zemër të kryeqytetit.
Pas një viti historik për projektin, ku pjesëmarrësit e kampit të parë patën mundësinë të përjetojnë nga afër Milan Experience në Itali, duke u stërvitur në ambientet zyrtare të AC Milan dhe duke takuar figura të njohura të klubit, edicioni i dytë vjen me synimin për t’u ofruar edhe më shumë fëmijëve mundësinë për t’u zhvilluar sipas metodologjisë së një prej akademive më të njohura në botë.
Gjatë pesë ditëve të kampit, qindra fëmijë do të stërviten në fushat e Bermicës nën drejtimin e trajnerëve zyrtarë të AC Milan Academy, duke përfituar njohuri teknike, taktike dhe edukative të bazuara në filozofinë e klubit italian.
AC Milan Junior Camp Prishtina vazhdon të mbetet një nga projektet më të rëndësishme të futbollit për grupmoshat e reja në Kosovë, duke krijuar ura bashkëpunimi ndërmjet futbollit vendor dhe një prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror.
Organizatorët vlerësuan interesimin e madh të fëmijëve dhe prindërve, duke theksuar se suksesi i edicionit të parë dhe realizimi i Milan Experience janë dëshmi se ky projekt tashmë është shndërruar në një platformë reale zhvillimi për talentet e rinj.
Stërvitjet e kampit do të zhvillohen nga data 22 deri më 26 Qershor në Kompleksin Sportiv në Bermicë, ndërsa aktivitetet do të kulmojnë me ceremoninë përmbyllëse dhe ndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit.
AC Milan Junior Camp Prishtina 2026
22–26 Qershor
Bermicë, Prishtinë