Udhëtimi në kohë mund të tingëllojë si fantashkencë, por studiuesit po sugjerojnë se, të paktën teorikisht, mund të jetë i mundur – jo për të udhëtuar fizikisht në të kaluarën, por për të dërguar mesazhe drejt saj.
Sipas kërkimeve të fundit në fushën e fizikës kuantike, ekziston një koncept i quajtur “lak kohor i mbyllur” (closed time-like curve), i cili përshkruan një rrugë ku një objekt mund të udhëtojë në të ardhmen dhe më pas të rikthehet në të kaluarën, duke përfunduar në të njëjtin pikënisje.
Megjithëse krijimi i këtyre lakimeve në shkallë të madhe kërkon energji të paimagjinueshme, në nivel kuantik mund të ekzistojnë struktura të ngjashme. Kjo lidhet me fenomenin e “ndërlidhjes kuantike”, ku dy grimca ndikojnë njëra-tjetrën edhe kur ndodhen shumë larg.

Një interpretim i kësaj sjelljeje është se grimcat mund të “dërgojnë informacion mbrapa në kohë”, duke ndikuar reagimin e tyre të mëvonshëm. Kjo ide është testuar pjesërisht në eksperimente që simulojnë këto lakime kohore në mikroshkallë.
Sipas ekspertëve, një sistem i tillë do të funksiononte si një kanal komunikimi me të kaluarën, edhe pse jo perfekt. “Zhurma” apo ndërhyrjet në sistem do ta vështirësonin transmetimin e saktë të informacionit, por jo ta bënin të pamundur.
Një ide e ngjashme është paraqitur edhe në filmin Interstellar, ku personazhi i interpretuar nga Matthew McConaughey komunikon me vajzën e tij në të kaluarën përmes një kodi.

Studiuesit argumentojnë se nëse një person në të ardhmen e di si është interpretuar mesazhi i tij, ai mund ta përshtasë mënyrën e dërgimit për ta bërë më të kuptueshëm. Kjo mund të rrisë efikasitetin e komunikimit edhe në kushte jo ideale.
Megjithëse ende nuk ekziston një “makinë kohe” reale, këto eksperimente në nivel kuantik mund të ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë më mirë mënyrën se si transmetohet informacioni dhe madje të përmirësojnë teknologjitë moderne të komunikimit. /GazetaExpress/