A ishte Konferenca e Rambujesë për pavarësinë e Kosovës apo për autonominë titiste -milosheviçiane të saj? - Gazeta Express
string(104) "a-ishte-konferenca-e-rambuejse-per-pavaresine-e-kosoves-apo-per-autonomine-titiste-milosheviciane-te-saj"

OP/ED

Gazeta Express

06/01/2023 17:19

A ishte Konferenca e Rambujesë për pavarësinë e Kosovës apo për autonominë titiste -milosheviçiane të saj?

OP/ED

Gazeta Express

06/01/2023 17:19

Disa mendime lidhur me intervistën e  Ambasadorit Amerikan në Beograd, Kristofer Hill rreth Autonomisë /Pavarësisë së Kosovës.

Nga Mal Berisha

Lexo Edhe:

Që prej shkurtit të vitit 1999, kur Konferenca e Rambujesë i mbylli punimet, ka mbetur pezull një re e errët që rëndon mbi të: A ishte ajo për Pavarësinë e Kosovës apo për kthim të saj në gjendjen e Autonomisë së Vitit 1974? Pra a do të ishte ajo Kosovë që shohim sot, e lirë dhe e pavarur, apo do të kthehej në Kosovën e demonstratave të studentevë, vrasjeve të policisë dhe ushtrisë terroriste serbo – jugosllave, burgosjeve, bastisjeve, ekzekutimeve, vrasjeve të djemve shqiptarë në ushtri që ktheheshin si të “vetvrarë” në shtëpitë e tyre?            

Pikërisht në atë kohë lëviznin nëpër Kosovë disa emisarë amerikanë të cilët jepnin deklarata publike skandaloze. Njëri prej tyre ishte Gellbarti, i cili e quajti UÇK – në një organizatë terroriste. Tjetri ishte ai që më vonë u bë “hero” i Kosovës, i ndjeri Richard Holbrook. Ky i fundit vetëm pas vizitës së tij në Deçan ndërroi opinionin të cilin e kishte formuar për shqiptarët pas 18 orë bisedime të pandërprera me Sllobodan Milosheviçin.

Në atë kohë ka patur edhe një debat shumë të fortë nëse Partia Demokratike e Shqipërisë ishte kundër Marrëveshjes së Rambujesë apo jo dhe nëse ishte kundër, përse ishte kundër saj, në disa pika të marrëveshjes?

Kanë kaluar 23 vjet dhe kësaj pyetje i ka dhënë përgjigje pa asnjë ekuivok, Ambasadori i sotëm amerikan në Beograd, Kristofer Hill, në atë kohë negociatori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Rambuje, në një intervistë të dhënë mediave serbe ku ai shprehet tekstualisht:

“Roli im në Rambuje ishte të tentoja që Kosovës, t’i kthehej shkalla më e lartë e autonomisë të cilën e kishte dikur. Rambujeja nuk u mor me pavarësinë e Kosovës, kjo ndodhi më vonë ku unë nuk isha pjesmarrës.”

Ambasadori i sotëm amerikan në Beograd dhe negociatori i asaj kohe në Rambuje e ka thënë qartë dhe pa lënë asnjë dyshim, se ai nuk ishte për pavarësinë e Kosovës. Sot është po ai që përcjell politikën amerikane rreth Kosovës, nga Beogradi.

Në këtë mënyrë, e tërë balta e hedhur kundër atyre që kundërshtuan planet alla Kristofer Hill dhe Richard Hollbrok për kthimin e Kosovës në një autonomi, e cila do të thoshte nën sovranitetin serb, duhet t’u kthehet në fytyrë atyre që e hodhën në atë kohë ndaj mbrojtësve të vërtetë të Kosovës që ishte e djathta shqiptare e drejtuar nga Dr. Sali Berisha.

Se çfarë vendimi kishte në tekstin e Marrëveshjes Finale e Rambujesë, tw pranuar ng apala shqiptare (dhe jo ajo serbe) mjafton të lexojmë këtë pasazh, në Nenin  I: Parimet e Vetqeverisjes Demokratike në Kosovë:

“Pika 3 Republika Federale e Jugosllavisë mbanë përgjegjësi në Kosovë për fushat vijuese, përveç nëse është përcaktuar në vend tjetër në këtë marrëveshje: (a) integriteti territorial, (b) ruajtja e tregut unik brenda Republikës Federale të Jugosllavisë, pushteti i së cilës do të ushtrohet në mënyrë të tillë që të mos bëjë diskriminimin ndaj Kosovës, (c) politika monetare (ç) mbrojtja, (d) politika e jashtme, (dh) shërbimet doganore, (e) tatimet federale, (ë) zgjidhjet federale, dhe (f) fushat tjera të përcaktuara me këtë Marrëveshje. 4. Republika e Serbisë do të ketë pushtet në Kosovë, ashtu si është përcaktuar në këtë Marrëveshje, duke përfshirë marrëdhënien me zgjidhje republikane.”

Nuk dua të hy në analizën e atyre që ka thënë në atë intervistë ambasadori Hill por nuk mund të lë pa nënvizuar disa prej konstatimeve të cilat në një vështrim të thjeshtë kuptohen sesa e rëndojnë Kosovën në raport me Serbinë në ngjarjet e fundvitit 2022.

1.- Ambasadori përkrah barrikadimin e serbëve në veri të Kosovës dhe i konsideron ato si të drejta “pasi ndërgjegjësuan opinionin ndërkombëtar lidhur me mënyrën sesi trajtohen serbët në Kosovë”.

Shënim: Kosova është i vetmi vend në botë që e ka me ligj trajtimin e minoriteteve me termin “persekutim pozitiv”.

2.- Ambasadori nuk iu përgjigj drejt gazetarit serb kur ai e pyeti dhe bëri një paralele midis bombardimeve të NATO – s në Serbi dhe atyre Ruse në Ukrainë:

Është e lehtë për këdo ta bëjë këtë dallim për dy arësye

a) NATO ndërhyri për të shpëtuar një popull nga genocidi serb dhe shfarosja bazuar tërësisht në vija etnike.

b) NATO nuk goditi asnjë objektiv civil në Serbi por vetëm caqet ushtarake ndërsa Rusia godet shkolla, banesa, kopshte, spitale, stacione elektrike, uzina, fabrika dhe çdo objekt tjetër civil.

c) NATO nuk udhëhiqej nga një autokrat diktator i vetëm siç është sot Putini, por nga udhëheqës shtetesh demokratike me qeveri dhe lidera të zgjedhur me vullnetin e lirë të popujve të tyre.

Pra ku është ngjashmëria këtu midis NATO – s, Kosovës, Rusisë dhe Ukrainës?

Ambasadori Hill është i keqardhur që 6 marrëveshjet e nënshkruara midis Serbisë dhe Kosovës nuk qenkan zbatuar. Po a ka keqardhje ai që asnjë marrëveshje e nënshkruar nga Serbia nuk është zbatuar deri sot?

Ai thotë tekstualisht:

Presidenti Vuçiç me të cilin kemi komunikim të mirë, më herët ka thënë se në lidhje me Kosovën janë gjashtë marrëveshje, por partnerët ndërkombëtarë nuk respektojnë asnjë prej tyre dhe se ne në fakt nuk e dimë se cila është e vlefshme, cila duhet të plotësohet dhe cila është më e rëndësishmja?”

Pra Ambasadori Hill, dëgjon me vëmendje autokratin dhe ish Ministrin e Milosheviçit, dezinjatori i Propogandës së Luftës kundër Shteteve të Bashkuara, në lidhje me Kosovën!?

Më tej Ambasadori Hill kërkon zbatimin e marrëvëshjes për Bashkësinë e Komunave Serbe në Kosovë dhe e kërkon atë më ngulm, pavarësisht se serbët çdo gjë që e kërkojnë sot e kërkojnë nëpërmjet të rojeve të urës, grupeve kriminale të paguara nga Vuçiçi në Beograd. Pra paqja do të vijë me imponimin e njerëzve të Miloshevçit si Ivica Dačić- it dhe Aleksandër Vuçiç – it me forcën e armëve dhe barrikadave.

Duke e ndjekur me shumë vëmendje këtë intervistë të Ambasadorit Kristofer Hill iu ktheva shënimeve të mia të asaj kohe. Për fat, një pjesë e tyre gjënden në librin tim të botuar në vitin 2021 me titull:

“ANBASADOR I PUSHTETIT TË BUTË”

Aty më del se sa qëndrim të drejtë kemi mbajtur atherë kundër Marrëveshjes së Rambujesë së prirë prej negociatorëve amerikanë në atë Konferencë siç na del sot autonomisti i Kosovës Kristofer Hill.

Ja shkrimi im i cili gjëndet në faqen 144, 145, 146 të librit tim:

KONFERENCA E RAMBUJESË DHE KONTRIBUTI I JOSEPH DIOGUARDIT

Në fillim të vitit 1999 ndodhën ngjarje shumë të rëndësishme për Kosovën. Ndër to veçohen masakra e Reçakut dhe Konferenca e Rambujesë. Bashkësia ndërkombëtare u angazhua seriozisht për ta penguar një gjakderdhje të re në Ballkan. Në fakt, përvoja e Dayton – it, si marrëveshje paqeje për Bosnjën, kishte lënë shije shumë të keqe për shkak të defekteve të jashtëzakonshme që ajo mbarte. Për më tepër, shqiptarët as që ishin konsideruar në atë rast, ku vetëm Milosheviçi, Izetbegoviçi dhe Tuxhmani ishin palë, të ndërmjetësuara nga amerikanët. Ajo marrëveshje qe nënshkruar edhe nga Presidenti Amerikan Bill Clinton, Kryeministri Spanjoll, Filipe Gonzales, Presidenti i Francës Zhak Shirak, Kryeministri britanik John Major, Kancelari gjerman Helmut Kol dhe kryeministri rus Viktor Çernomyrdin. Ajo marëveshje solli paqe, por asnjëherë stabilitet në Bosnjë e Hercegovinë. Por çfarë dukej se do të sillte konferenca tjetër ndërkombëtare, e cila kishte si qëllim po të njëjtën gjë – të sillte paqe në Ballkan e veçanërisht në Kosovën që ishte në prag të një shpërthimi të tmerrshëm?

MARRËVESHJA E RAMBUJESË – MË E KEQJA E NËNSHKRUAR NGA SHQIPTARËT DHE E KUNDËRSHTUAR NGA DIOGUARDI

Drafti i Marrëveshjes së Rambujesë, i cili u negociua midis shqiptarëve dhe serbëve me ndihmën e amerikanëve dhe veçanërisht dy diplomatëve, Richard Hollbrook dhe Christopher Hill, me gjithë dashamirësinë e tyre, nuk ishte gjë tjetër veçse më pak sesa një lëshim shumë i madh i bashkësisë ndërkombëtare ndaj Milosheviçit. Dokumenti final linte në fuqi administrimin serb mbi Kosovë, me autonomi diçka si ajo që kishte pasur, pak më e zgjeruar se në kohën e Jugosllavisë titiste, që ishte marrë brutalisht nga Milosheviçi në vitin 1989.

            Joseph DioGuardi, si edhe politikanët më atdhetarë shqiptarë, që në atë kohë ishin në opozitë, e kundërshtuan me forcë këtë marrëveshje. Ai doli në ballë të përpjekjeve për ta redaktuar projektin dhe e kundërshtoi atë me forcën më të madhe. Si politikan profesionist amerikan, ai e kuptonte më mirë se çdokush tjetër se për Amerikën dhe Fuqitë e Mëdha, stabiliteti ishte më i rëndësishëm sesa realizimi i të drejtave të shqiptarëve. Kjo është arsyeja përse diplomatë si Christofer Hill dhe të tjerë iu imponuan shqiptarëve, të cilët nuk kishin ndonjë mbështetje tjetër, përveç asaj amerikane, dhe sado e pamjaftueshme që ishte ajo në atë moment, sigurisht që nuk mund ta refuzonin.

Në një takim të shumë aktivistëve të LQSHA-së, Joseph DioGuardi deklaroi:

“Marrëveshja e Rambujesë është e para marrëveshje në historinë e shqiptarëve, nëpërmjet së cilës kanë nënshkruar me dorën e tyre të drejtën serbe mbi Kosovën dhe për rrjedhojë skllavërimin e mëtejshëm nën sovranitetin serb mbi Kosovën”.

Me atë rast Liga vendosi që Joi dhe Shirley të udhëtonin urgjent për në Paris. i përcolla atë natë në Aeroportin “Liberty” në Neëark të Neë Jersey-it. Ai ngiste një makinë “Kadillak” të thjeshtë. Në vend të parë ishte ulur Shirley. Vendimi për të udhëtuar ishte marrë menjëherë. Me shpejtësi ata u bënë gati, morën dosjet, hipëm në veturë dhe DioGuardi e mori vetë timonin.

… Arritëm në terminal në momentin e fundit. Të nesërmen ata u shfaqën përpara Kështjellës së Rambujesë. Në atë kohë shumëkush e ka kundërshtuar qëndrimin e DioGuardit, por nëse lexohet edhe sot me pak vëmendje dokumenti përfundimtar i Marrëveshjes së Rambujesë, ai e lë Kosovën në statusin e autonomisë. DioGuardi ishte kundër. Ajo që ndodhi më pas është ajo që anglezët e quajnë “by default”. Ndodhi mrekullia që kryeministri serb, Milutinoviç nuk e nënshkroi marrëveshjen, por ua hodhi në fytyrë ndërkombëtarëve në çastin kur po linte kështjellën. Mungesa e një marrëveshjeje solli ndërhyrjen ushtarake të NATO-s të udhëhequra nga SHBA-ja. Konsideroj se roli i Joseph DioGuardit ka qenë dhe mbetet historik edhe në këtë moment të rëndësishëm për Kosovën. Nëse serbët e nënshkruanin marrëveshjen, Kosova mbetej me statusin e një autonomie nën pushtetin serb. Aty flitej për një autonomi me të drejtë referendumi pas tre vjetësh, por a do të arrihej dot kjo? A ishin serbët tradhtarë të çështjes së tyre në Rambuje? A ishin serbët tradhtarë, që nuk e pranuan atë zgjidhje me konseguenca minimale për ta, dhe asnjë përfitim për shqiptarët, kjo përbën një pikëpyetje të madhe. A ishin ata agjentë të shitur, apo naivë, këtë ende nuk e ka vlerësuar historia. E vërteta është që situata nuk mbante më, serbët nuk nënshkruan, shqiptarët pranuan një dokument, ndoshta me premtime të strukturave të fshehta, që do t’i bëjë të skuqen gjithë jetën. Prapëseprapë, kokëfortësia serbe dhe “toleranca” shqiptare i shkuan për shtat zgjidhjes së çështjes së Kosovës, pra fillimit të luftës. Joseph DioGuardi ishte në anën e së drejtës, por a ishte edhe në anën e historisë? Kjo çështje han diskutim.

Ky ëshstë konstatimi im i asaj kohe dhe ky ëshstë edhe vertetimi se Kristofer Hill ka qenë atherë dhe është edhe sot njeriu që Kosovën e ka dashur dhe e don nën sovranitetin serb!

Kujdës vëllezër shqipëtarë të Kosovës!

Diqka Po Zihet”, por jo tek emisioni i Televizionit 21 por në kulisat e interesave anti – Kosovë!