A ikën Basha po humbi prapë? - Gazeta Express
string(27) "a-iken-basha-po-humbi-prape"

A ikën Basha po humbi prapë?

Gazeta Express

01/02/2020 15:17

Lapsi.al botoi dje një shkrim, pas një interviste të Lulzim Bashës me gazetaren Moza Koçiu, ku e vinte theksin mbi refuzimin e kreut të PD-së, për ti’iu përgjigjur një pyetje të thjeshtë: Nëse i humbet sërish zgjedhjet, a do japësh dorëheqjen?

Andi Bushati

Lexo Edhe:

Pika që ne na bëri përshtypje ishte jo vetëm virtuoziteti i Bashës për ti dredhuar çështjes, por edhe këmbënguja e tij për të lënë të kuptohet se kush e ngrinte këtë pikëpyetje normale, i shërbente axhendës së Ramës.

Kjo lloj konspirativizmi i qëllimshëm i liderit demokrat me sa duket ka lënë gjurmët e tij edhe te një pjesë e militantëve naivë të opozitës. Në komentet përbri shkrimit (shiko poshte) dhe në reagimet në inbox, nuk ishin të paktë ata që shkruanin se problemi nuk ishte dorëheqja e kryeopozitarit, por largimi i kryeministrit që ka instaluar një pushtet absolut.

Pikërisht, për të demontuar propagandën e Bashës, por edhe për të sqaruar ata opozitarë të sinqertë, kjo polemikë duhet sqaruar njëherë e mirë.

Fakti është se sot ekzistojnë dy grupime të cilët janë kritike me Bashën. Duhet pranuar se të parët nuk janë, as të vërtetë dhe as të sinqertë. Ata e bëjnë këtë për ti shërbyer pushtetit, si mënyra e fundit që u ka mbetur për të mbrojtur diktaturën karikaturale të Edi Ramës. Qëllimi i tyre është të përçanjë, të shuajnë, të dekurajojnë opozitarizmin. Në këtë kuptim ata janë thjeshtë lehaqenë me pagesë të regjimit.

Por, ekziston edhe një grupim i dytë, që nuk i kursejnë asgjë shefit të opozitës, për arsye krejtësisht të kundërta. Aspak se duan të ndihmojnë Ramën, por se e shohin të pa aftë, të pa vendosur dhe jo koherent në misionin për ta larguar atë.

Prandaj edhe pyetja nëse do të mbajë përgjegjësi po dështoi edhe këtë herë, është një e drejtë mëse legjitime e këtij grupimi.

Arsyet për këtë janë të shumta.  

Që prej qershorit të vitit që shkoi, Lulzim Basha ka bërë një kthesë 180 gradë. Ai braktisi protestat. Ai u tërhoq nga prishja e zgjedhjeve. Ai u zbyth nga premtimi për të mos dorëzuar forcërisht bashkitë. Ai u ul në tryezë për të negociauar me Damian Gjiknurin dhe Rudina Hajdarin. Ai po lë përshtypjen e gënjeshtërt, se vendi do të shkojë shpejt drejt zgjedheve të reja të cilat do të sjellin fitoren e opozitës.

Të gjithë këtë mbrapaktheu të paimagjinnueshëm kreu demokrat e ka justifikuar me faktin se djegja e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve vendore e arritën qëllimin e tyre për diskreditimin lokal dhe ndërkombëtar të Ramës, duke lënë të imagjonohet se të gjithë këta faktorë do ta bëjnë të pamundur një vjedhje tjetër të zgjedhjeve prej tij.

Kjo logjikë mezi mbahet në këmbë.

Edhe gjatë kohës së çadrës Basha pretendonte se e kishte arritur diskreditimin e Ramës. Ai e detyroi atë fillimisht të largonte nga kabineti Saimir Tahirin dhe Ilir Beqen (e paimagjinueshme deri në ato momente) dhe pastaj të dorzonte tek opozita gjysmën e qeverisë. Por të gjithë e kujtojmë se asnjë nga këto lëshime nuk e pengoi Rilindjen të bënte kërdinë mbi votat, madje të grabiste edhe më shumë se sa i duheshin për ta mbajtur timonin e vetme.

E njëjta gjë po përsëritet përsëdyti, këtë radhë jo në mënyrë tragjike, por qesharake.

Ndërkohë që opozita ka ulur në tryezën e bisedimeve njerëzit e saj, për tu përleshur se ku duhet vënë presja në nenet e reja të kodit zgjedhor, Rama po tenton të shkarkojë presidentin, të mbyllë mediat online, të vërë gjithë të preferuarit e tij në krye të institucioneve të drejtësisë së re dhe të mbrojë me të njëjtin pathos milionat e koncesioneve që e lejojnë të ndajë gjithë pasurinë e këtij vendi me oligarkët.

Nëse këto janë sinjale që të bëjnë të mendosh se gjendja po përgatitet për zgjedhje të lira edhe të ndershme, po atëherë strategjia e Lulzim Bashës është e drejtë.

Nëse nenet që do shtojnë në kod Bylykbashi dhe Vasili, do të pengojnë gjithë këtë katrahurë, po atëhere strategjia e Lulzim Bashës është ajo e duhura.

Në fakt nuk është kështu. Ndaj për të fashitur këto kontradikta kreu i PD po e gënjen popullin opozitar si indianët me pasqyrat, duke u treguar dy « dhurata » të pavlera. Së pari se zgjedhjet do të jenë të parakohshme dhe së dyti se, ato do të mbikqyren nga një qeveri teknicienësh pa Ramën kryeministër.

Aq fort po propogandohen këto dy nocione, sa po u shiten njerëzve si një fitore më vete. Por, me thënë të drejtën, as fakti i pasigurtë se zgjedhjet do të mbahen para qershorit 2021, as tjetri se për disa ditë Rama do të nxirret jashtë zyrës, nuk janë garanci që mund ta pengojnë makinerinë Rilindase, të progarmauar për të grabitur, që të kryejë punën e saj.

Prandaj për këtë, strategjia e Bashës e mbështetur mbi hipotezën se qasja radikale e mbolli farën e saj dhe tani është koha për të korur frytet në tavolinë, është një rrugë e rrezikshme për opozitën.

Nisur nga këto risqe, shumë nga ata që e duan Ramën të larguar një orë e më parë, për të gjithë të këqiat që i ka bërë këtij vendi, i ngrejnë një pyetje Lulzim Bashës : Nëse gabohesh në bastin që ke vënë, a ka kuptim të drejtosh më opozitën?

A ka sens që një drejtues ndërmarjeje që e çon atë drejt falimentimit, një trajner skuadre që e zbret atë nga kategoria, një kapiten anijeje që e fundos atë, të vazhdojë të injektojë besim tek trupat që drejton ?

Nëse Lulzim Basha mendon vërtet se ka zgjedhur rrugën e duhur, nëse është i bindur  se në momentin që ka vendosur për uljen në tryezë dhe rifillimin e paqes, i ka reduktuar mundësitë e Ramës për të vjedhur, ai duhet të ketë guximin të thotë troç, ashtu sikurse Berisha në 2005 : « Po humba, largohem ».

Në këtë mënyrë do të ngjallte besim, do ti jepte edhe siguri të vetëve.

Duke bërë të kundërtën, si në intervistën e fundit, duke iu shmangur banalisht kësaj dileme kruciale, ai fatkeqësisht shpërndan vetëm pesimizëm.

Ai tregon se është i pasigurtë në bastin që ka vënë, ndonëse dikur e ka pohuar me gojjën e vet, se nëse Rama e gënjen për së dyti, turpi do të jetë vetëm i tiji.