A i plotëson Kosova kërkesat e UEFA-s për Anti-Doping? - Gazeta Express
string(53) "a-i-ploteson-kosova-kerkesat-e-uefa-s-per-anti-doping"

A i plotëson Kosova kërkesat e UEFA-s për Anti-Doping?

Valon Konushevci

24/02/2020 20:53

Albert Bunjaki dha alarm të premten në emisionin sportiv “Favorit” në T7, ku deklaroi se në futbollin kosovar përdoret dopingu dhe se kjo është një e vërtetë e madhe. Kosova po i bën katër vjet prejse është anëtarësuar në UEFA, e cila kërkon prej shteteve anëtare të saj luftë speciale kundër dopingut. Gazeta Express ua sjell serinë e kushteve që duhet t’i përmbushin shtetet anëtare të UEFA-s kundër dopingut, e që Kosova nuk ka kushte as minimale momentalisht për t’iu bashkuar luftës anti-doping në futboll.

Valon Konushevci

Lexo Edhe:

Ish selektori i Kosovës, i cili tani punon si instruktor në UEFA, Albert Bunjaki, të premten në emisionin sportiv “Favorit” në T7 dha deklaratë shokuese kur tha që është e vërtetë se në futbollin kosovar përdoret dopingu.

“Dopingu është problem shumë i madh në Kosovë. Ne mundemi me e mbyll këtë temë dhe mundemi të mos e diskutojmë, mirëpo dopingu ekziston në futbollin e Kosovës, mjerisht. Ekziston ky problem, ka ekzistuar edhe më herët dhe ekziston edhe tani. Mirë është të bisedohet me lojtarë, ta kemi edhe qendrën e dopingut”, deklaroi Bunjaki në emisionin “Favorit”.

Mirëpo, Bunjaki nuk është i pari dhe i vetmi që e pohon prezencën e këtij fenomeni në futbollin tonë. Në Kosovë që nga paslufta ka pasur dyshime të forta për përdorim të substancave të ndaluara, shkruan Gazeta Express. Madje, ka pasur raste kur ish futbollistë e kanë pranuar se ky fenomen ekziston në futbollin kosovar dhe ka pasur nga ata që pas pensionimit nga futbolli aktiv edhe vet e kanë pranuar përdorimin e dopingut gjatë kohës kur ishin lojtar. Po ashtu, alarm patën dhënë edhe specialistë të mjekësisë sportive.

Gjithnjë është përmendur “Ephedrine”, si njëra prej substancave të ndaluara, e që është përdorur kryesisht në futbollin kosovar.

Mirëpo, në Kosovë deri më tani nuk është bërë thuajse asgjë konkrete rreth luftës anti-doping, në të cilin segment UEFA ka fokus shumë të madh. Kosova nga vitit 2016 është anëtare e UEFA-s, e cila për të gjitha shtetet anëtare të saj qysh moti ka vendosur standard plotësues për luftën anti-doping.

“Stadiumi duhet të jetë i pajisur me një stacion të dedikuar për kontroll të dopingut. Stacioni i kontrollit të dopingut duhet të jetë afër zhveshtoreve të ekipeve dhe i paarritshëm për publikun dhe mediat. Ai duhet të jetë të paktën 20 metra katrorë dhe të përbëhet nga një dhomë pritjeje, dhomë testimi dhe tualet, të gjitha ngjitur. Dhoma e pritjes duhet të jetë pjesë, ose të jetë menjëherë ngjitur me dhomën e testimit. Ajo duhet të ketë ulëse të mjaftueshme për tetë persona, objekte ose dollapë për varje të rrobave, dhe një frigorifer. Dhoma e testimit duhet të ketë një tryezë, katër karrige, një lavaman me ujë, një kabinet me dry dhe një hapësirë tualeti. Hapësira e tualetit duhet të jetë brenda dhomës së testimit, ose menjëherë ngjitur me të dhe me qasje të drejtpërdrejtë private në dhomën e testimit. Ajo duhet të ketë një tualet për t’u ulur, një lavaman me ujë të rrjedhshëm dhe, nëse është e mundshme, një dush”.

Këto janë kushtet që UEFA kërkon në luftën anti-doping në futboll. Nëse merren parasysh rrethanat reale të stadiumeve dhe klubeve të Kosovës, del se vendi ynë është larg përmbushjes së obligimit. Ky kriter asnjëherë nuk iu është vendos klubeve në Kosovë nga FFK. Kosova ende nuk e ka një Agjenci Kosovare të Anti-Dopingut shkaku i mungesës së kuadrave dhe aparaturës. Mungon qoftë edhe një laborator i thjeshtë.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) përmes sekretarit Eroll Salihu ka folur rreth kësaj teme në Gazetën Express.

“Ne kemi folur me doktorë. Kanë qenë në seminare për antidoping dhe së bashku po mundohemi ta krijojmë një laborator. Kemi folur edhe me Ministrinë e Sportit për këtë punë. Ne e kemi kërkuar një laborator, përmes të së cilit do t’i merrnim mostrat prej këtu, për t’i dërguar jashtë vendit”, deklaroi Salihu për Gazetën Express.

Ai tha se FFK ka bërë përpjekje ta luftojë këtë fenomen me “kaçikun” e vet. “Murat Berisha ka qenë në asociacionin e antidopingut, VADA dy apo tri herë. Sa e di unë, ua kemi përcjellë të gjitha klubeve substancat e ndaluara cilat janë. As shtete tjera të rajonit nuk kanë laboratorë që mund të bëjnë ekzaminime, por i dërgojnë jashtë edhe ata. Dikush i dërgon në Vjenë e dikush tjetër në Zvicër”, nënvizoi Salihu.

Sipas tij, në gara kampionale kontrollet anti-doping duhet t’i bëjnë Federatat, derisa shpjegoi edhe procesin e kontrollit. “Në ndeshjet ndërkombëtare është kompetencë e UEFA-s dhe FIFA-s të merret me antidopingun. Zakonisht vendoset më herët për lojtarët që duhet t’i nënshtrohen kontrollit të antidopingut, por kontrolli bëhet pas lojës”, shtoi Salihu.

Gara në IPKO Superligën e Kosovës në futboll është bërë tejet e fortë pasi katër klube, Ballkani, Drita, Prishtina dhe Gjilani, po luftojnë “dhëmbë për dhëmbë” për titullin e kampionit, kurse shumë skuadra tjera luftën e madhe po e bëjnë për t’iu shmangur rënies në një kategori më poshtë.

Në këtë situatë është rritur frika e mundësisë së përdorimit të dopingut vetëm e vetëm për arritje të synimeve që i kanë klubet, për çka kanë bërë edhe investime të mëdha financiare. /GazetaExpress/