Një nga situatat më të rëndësishme që Barcelona po menaxhon aktualisht lidhet me huazimin e Marcus Rashfordit nga Manchester Unitedi.
28-vjeçari ka bërë përshtypje që nga transferimi në “Spotify Camp Nou”, por do ta ketë të vështirë të qëndrojë në mënyrë të përhershme te klubi katalanas.
Barcelona nuk është e gatshme të aktivizojë klauzolën e blerjes në marrëveshjen me Unitedin, pasi preferon të negociojë një tjetër huazim.
Megjithatë, klubi anglez nuk ka ndërmend ta lejojë këtë, ndaj duket gjithnjë e më e pamundur që Rashfordi të mbetet pjesë e skuadrës së Hansi Flickut.
Pavarësisht kësaj, Rashfordi beson se mund të ndryshojë situatën në favor të tij.
Sipas “Mundo Deportivo”, ai vazhdon ta ketë prioritet qëndrimin te Barcelona dhe shpreson të bindë klubin me paraqitjet në fushë.
Goli i tij në fitoren 2-0 ndaj Getafes e çoi në 13 numrin e golave këtë sezon, së bashku me 11 asistime.
Ai ka pasur vështirësi të jetë titullar i rregullt për shkak të konkurrencës nga Raphinha, por gjithsesi ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për liderët e La Liga.
Barcelona ende nuk ka marrë vendim përfundimtar për të ardhmen e tij.
Vendimi final do t’i takojë trajnerit Flick, i cili pritet të takohet me drejtorin sportiv Deco pasi katalanasit të sigurojnë titullin e La Ligas.
Në atë moment do të përcaktohet se cilët lojtarë do të qëndrojnë dhe cilët mund të largohen.
Ndërkohë, Barcelona ka nisur të shqyrtojë edhe alternativa për zëvendësimin e Rashfordit.
Deco kërkon një profil më të ri për të plotësuar repartin ofensiv përkrah Raphinhas, duke qenë se blerja përfundimtare e sulmuesit anglez nuk shihet si zgjidhje ideale për planifikimin afatgjatë të skuadrës./GazetaExpress/