Mbi 12 mijë persona hynë e dolën nga Kosova në 24 orët e fundit - Gazeta Express
string(61) "mbi-12000-persona-hyne-e-dolen-nga-kosova-ne-24-oret-e-fundit"

Mbi 12 mijë persona hynë e dolën nga Kosova në 24 orët e fundit

Gazeta Express

02/06/2020 13:18

Qeveria në detyrë ka marrë vendim të dielën që të hapë kufijtë tokësorë në pikat kufitare Merdare, Vermicë, Kullë, Hani i Elezit, Jarinjë dhe Dheu i Bardhë. Vetëm në 24 orët e fundit përmes këtyre pikave kufitare kanë hyrë dhe dalë më shumë se 12 mijë persona, raporton Express.

Bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës, që ka siguruar Gazeta Express, gjatë kësaj periudhe kanë hyrë e dalë 4 mijë e 735 vetura, 1 mijë e 429 kamionë dhe 89 autobusë.

Lexo Edhe:

Disa e kanë kaluar kufirin në këmbë. Sipas këtyre të dhënave, numri i këmbësorëve që kanë kaluar përmes këtyre pikave kufitare është afër 800.

Nga Vërmica e Kulla kanë hyrë e dalë 7 mijë e 112 persona, nga Hani i Elezit dhe Dheu i Bardhë 1 mijë e 698, derisa nga Merdarja e Jarinja 2 mijë e 771 persona.

Pas vendimit për hapjen e kufijve, parashihej që secila maune që hyn në Republikën e Kosovës të paguante tarifë deri në 22 euro për dezinfektim. Por, kjo kontratë është pezulluar pas ankesave të kompanive.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook.

“Pezullohet kontrata për dezinfektimin e maunave që vijnë në Republikën e Kosovës. Dezinfektimi i kamionëve parashihej në kuadër të masave për luftimin e pandemisë së COVID-19. Nga ky moment importuesit nuk kanë nevojë t’i dezinfektojnë maunat në pikat kufitare”, thuhet në njoftimin e MPBAP-së.

Ndryshe, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për hapjen e pikave kufitare, Dogana e Kosovës veç të hënën ka realizuar të hyra në vlerë prej 3.7 milionë euro.

Sipas zëdhënësit të Doganës, Adriatik Stavilecit, të hyrat kanë tejkaluar ato të vitit paraprak.

“…vetëm dje kemi pasur ditën e parë kur të hyrat kanë tejkaluar vitin paraprak. Nëse vitin e kaluar kemi pasur ditën prej 3.2 milionëve dje ka qenë dita kur  të hyrat kanë performuar prej 3.7 milionë”, ka thënë Stavileci.

Ai ka treguar se ka filluar qarkullimi i qytetarëve në të gjitha pikat kufitare, por njoftoi se ka vonesa për  shkak të nënshtrimit të kontrolleve për koronavirus.

Stavileci theksoi se qytetarët që hyjnë në Kosovë duhet të kenë testin për Covid-19 i cili është bërë në katër ditët e fundit, përndryshe tha ai se duhet të vet izolohet.

“Pas vendimit të Qeverisë për rihapjen apo lehtësimin e masave ne kemi vërejt se ka fillua qarkullimi pak më shumë, por jo në nivele të shtuar sepse çdo qytetarë që hynë në Kosovë duhet t’u nënshtrohet kontrolleve mjekësore dhe vetëkarantinimit apo të ketë test valid për Covid-19 që është bërë në katër ditët e fundit”, ka deklaruar Stavileci. /Gazeta Express