Gjatë stinës së dimrit në Kosovë ngrihet alarmi për cilësinë e ajrit. Si pasojë e ndotjes, në Klinikën e Pulmologjisë së Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës janë tre pacientë kosovarë, të cilët janë shtrirë për trajtim mjekësor. Ndërkaq, nga fillimi i stinës së dimrit, atëherë kur kryesisht fillon ndotja e ajrit, në Pulmologjinë e QKUK-së kanë qenë mbi 15 pacientë, të cilët kanë marrë trajtim mjekësor. Mjekët apelojnë që në kohën e ndotjes të mos dilet nga shtëpia
Gentiana HASANI
Gjatë muajve tetor, nëntor e dhjetor, kosovarëve tradicionalisht u vështirësohet frymëmarrja. Por, pavarësisht se Kosova me vite ballafaqohet me një problematikë të tillë, institucionet e vendit po bëjnë pak për ta përmirësuar situatën. Megjithatë, ajri i ndotur, i rrezikshëm për shëndetin mbetet shqetësim për qytetarët si dhe për institucionet shëndetësore që tashmë kanë alarmuar.
Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, dhe disa qytete të tjera si Obiliqi, Mitrovica, Gjilani, Drenasi e Peja, ka një kohë të gjatë që përballen me këtë problem, por alarmi zakonisht ngrihet në vjeshtën e vonë dhe në dimër, kur matësit e nivelit të ndotjes së ajrit kanë marrë më shumë vëmendje.
Vitin e kaluar, në Prishtinë, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së ajrit, për dy ditë ishte ndaluar qarkullimi i veturave.
E ndalimi i qarkullimit të veturave e ndalimi i importimit të atyre të vjetërsuara, po kërkohet edhe sivjet nga ana e mjekëve të QKUK-së por edhe të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Ky institucion shëndetësor së fundmi ka alarmuar për shkallën e lartë të ndotjes së ajrit në Kosovë.
Megjithëkëtë, pulmologu i Klinikës së Mushkërive në QKUK, Skender Baca, ka dhënë detaje për Gazetën Express, rreth numrit të pacientëve, fluksi i të cilëve është shtuar ditëve të fundit në QKUK.
Ai ka sqaruar se nga muaji nëntor e deri më sot janë më shumë se 15 pacientë të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKUK pas përkeqësimit të shëndetit nga ana e ndotjes së ajrit. Ndërkohë, që tre persona të tjerë janë shtrirë për trajtim mjekësor në këtë klinikë. Por megjithëkëtë, situata nuk është alarmante, sipas tij.
“Në Klinikën e Pulmologjisë gjithmonë pas sezonit të dimrit rritet fluksi i pacientëve. Këtu kombinohen edhe virozat e stinës së dimrit, duhanpirja, por edhe ajri i ndotur. Sa i përket ndotjes së ambientit nuk ka nevojë të bëhet panik. Muajin e fundit 3 pacientë janë shtrirë në klinikën tonë sa i përket përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, aty ku ka ndikuar edhe ndotja e ajrit. Ndërkohë që brenda muajit janë diku rreth 15 pacientë që kërkojnë shërbime, kryesisht ambulantore, sa i përket përkeqësimit të shëndetit që vjen nga ndotja e ajrit”, ka deklaruar Baca.
Ai thotë se sëmundja kryesore që vjen si pasojë e ajrit të ndotur është ajo e mushkërive.
“Sëmundja kryesore që vjen si pasojë e ajrit të ndotur është sëmundja e mushkërive. Tek ne janë diku 150 pacientë në muaj që vdesin nga kjo sëmundje”.
Por sipas IKShP-së, qyteti i Prishtinës po zhytet në smog që paraqet ndotje të kombinuar të ajrit me gazra dhe aerosolë, i cili vërehet gjithandej. Ata kanë thënë që vlera e ndotjes në Prishtinë pritet të jetë disa herë më e madhe se vlerat e normale. Rreziqe këto të cilat sipas Institutit Kombëtar, kosovarëve po u sjellin sëmundje të ndryshme, në mesin e tyre edhe kancerin.
“Urgjentisht të përpilohet një plan veprimi për përmirësimin e cilësisë së ajrit sidomos në kryeqytet. Të reduktohen daljet në qytet dhe në vendet me ajër të ndotur sidomos në mëngjes dhe mbrëmje e sidomos personat që kanë sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator, fëmijët dhe shtatzënat. Të qëndrohet në shtëpi dhe të mos hapen dritaret për ajrosjen e dhomave derisa zgjasin vlerat e larta”, bën me dije IKShP-ja.
Në anën tjetër, drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë në QKUK, Rukije Mehmeti, në një prononcim për Gazetën Express ka deklaruar se pacientët të cilët po kërkojnë shërbime mjekësore si pasojë e ndotjes së ajrit janë kryesisht pacientët që kanë edhe sëmundje kronike. Ajo ka rekomanduar që fëmijët, të moshuarit e shtatzënat të mos dalin nga shtëpitë gjatë këtyre ditëve me ndotje të ajrit.
“”Pacientëve të cilët kryesisht vuajnë nga sëmundjet kronike, ne çdoherë u japim këshilla që të mos dalin nga shtëpitë gjatë ditëve kur në vend ka ajër të ndotur. Daljet në këtë ajër automatikisht e përkeqësojnë shëndetin e këtyre pacientëve. Vetëm për nevoja urgjente rekomandohet që këta pacientë të dalin nga shtëpitë”, deklaron drejtoresha e Klinikës së Mushkërive në QKUK.
Ajo apelon që pacientët në këto ditë me ajër të ndotur, sidomos ata me sëmundje kronike, të pinë lëngje, të marrin vitamina dhe t’i minimizojnë daljet e tyre në ajër të ndotur.
Mirëpo, nga ana e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë deklaruar për Express se në qershorin e vitit të kaluar kanë përgatitur Planin e Veprimit për Cilësinë e Ajrit. Mirëpo, i njëjti ende nuk është miratuar në Kuvend.
Megjithatë, Ministria e Mjedisit thekson se në lidhje me reduktimin e ndotjes së ajrit, janë ndërmarrë disa veprime të cilat po ndikojnë e do të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes.
“Përveç vendimeve që kemi marrë për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në shkolla dhe në objektet e institucioneve publike, ndalimin e dhënies falas të thëngjillit për punëtorët e KEK-ut, ne kemi bërë kërkesa të vazhdueshme që ministritë e linjës të kryejnë përgjegjësitë që kanë në reduktimin e ndotjes së ajrit”, thuhet në përgjigjen e zyrtarëve të ministrisë dhënë Expressit.
E pavarësisht kësaj, Instituti i Shëndetit Publik ka kërkuar urgjentisht nga autoritetet kompetente që të përpilojnë një plan veprimi për përmirësimin e cilësisë së ajrit, sidomos në kryeqytet, largimin nga përdorimi i veturave të vjetra dhe veturat pa katalizator dhe masa të tjera.
Kosova ndërkohë është në proces të ndërtimit të Termocentralit ‘Kosova e re’, e cila si e tillë është duke u kundërshtuar nga organizata vendore dhe ndërkombëtare të cilat merren me mbrojtje të mjedisit. /Gazeta Express/