Prodhuesi amerikan i aeroplanëve civilë, Boeing, ka marrë vendim që ta suspendojë përkohësisht prodhimin e modelit famëkeq, 737 Max, pasi Administrata Federale e Aviacionit në Shtetet e Bashkuara tha javën e kaluar se nuk do ta miratojë kthimin e këtyre aeroplanëve në përdorim para vitit 2020.
Ky vendim erdhi pas takimit dyditor të anëtarëve të bordit të kompanisë “Boeing”, i cili filloi të dielën dhe u mbajt në Chicago.
“Kthimi i aeroplanëve 737 Max në përdorim është prioriteti ynë kryesor. Ne e dimë se procesi i miratimit të kthimit të këtij aeroplani në përdorim kërkon kontroll të jashtëzakonshëm në mënyrë që klientët tanë të kenë besim në përmirësimet që i janë bërë atij”, thuhet në deklaratën e kompanisë.
Ky model, i cili ishte më i shituri nga të gjitha modelet e tjera të prodhuesit amerikan, është përfshirë në dy aksidente fatale, në të cilat vdiqën 346 persona. Njëri aksident kishte ndodhur vitin e kaluar, ndërsa tjetri në mars të këtij viti.
Kjo është hera e parë në 20 vjetët e fundit që Boeing merr vendim për ndërprerjen e prodhimit të këtij modeli dhe pritet që kjo masë të ketë efekte të konsiderueshme në ekonominë amerikane, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.