Qeveria franceze ndryshon reformën pensionale, grevat vazhdojnë - Gazeta Express
string(62) "qeveria-franceze-ndryshon-reformen-pensionale-grevat-vazhdojne"

Qeveria franceze ndryshon reformën pensionale, grevat vazhdojnë

Gazeta Express

11/12/2019 15:56

Kryeministri i Francës, Edouard Philippe, tha se mosha e pensionimit do të mbetet mosha 62-vjeçare, por ata që duan t’i marrin të gjitha përfitimet e pensionit duhet të punojnë deri në moshën 64-vjeçare.

“Ne do ta mbajmë moshën 62-vjeçare si moshë të pensionimit, por do t’i inkurajojmë punëtorët francezë që të punojnë më gjatë”, tha kryeministri.

Lexo Edhe:

Gjatë një fjalimi të mbajtur në Këshillin Ekonomik, Social dhe Mjedisor në Paris, në ditën e shtatë të grevave dhe protestave mbarëkombëtare, kryeministri Philippe deklaroi se ka ardhur koha për ta ndërtuar një sistem universal të pensioneve.

Megjithatë, ai i përmendi disa lëshime që i ka bërë qeveria, përfshirë faktin që reforma nuk do të vlejë për personat që janë lindur para vitit 1975, e jo para vitit 1963, siç ishte planifikuar më parë.

Ky plan është pjesë e premtimeve të presidentit Macron gjatë zgjedhjeve se do ta ndërtonte një sistem të thjeshtësuar dhe universal të pensioneve për t’i zëvendësuar 42 skemat e ndryshme, të cilat janë në fuqi tash për tash.

Ndaj planit të tij kanë reaguar ashpër disa sindikata të punëtorëve publikë, përfshirë punëtorët e hekurudhave, transportit publik, mjekëve dhe mësuesve. Ata filluan grevë dhe protesta masive javën e kaluar, duke shkaktuar paralizim të transportit në shumë qytete, shkruan “France24”, transmeton Gazeta Express.