Liverpooli po shqyrton mundësinë e transferimit të mbrojtësit të Real Madridit, Raul Asencio, gjatë këtij afati kalimtar të verës.
Sipas raportimeve të TEAMtalk, përfaqësuesit e 23-vjeçarit kanë kontaktuar drejtuesit e klubit anglez për të diskutuar mundësinë e një transferimi, ndërsa Real Madridi është i gatshëm të dëgjojë oferta për kartonin e futbollistit.
Megjithatë, prioriteti i Asencios mbetet vazhdimi i karrierës në “Santiago Bernabéu”. Mbrojtësi spanjoll dëshiron të luftojë për një vend në formacionin e Real Madridit, pavarësisht se trajneri José Mourinho i ka bërë të ditur se nuk bën pjesë në planet e tij për sezonin e ri.
Nëse situata nuk ndryshon në javët në vijim, Liverpooli mund të intensifikojë përpjekjet për ta transferuar mbrojtësin, duke shfrytëzuar faktin se klubi madrilen nuk e konsideron të paprekshëm.
Mbetet të shihet nëse Asencio do të ndryshojë qëndrim apo do të vazhdojë betejën për të fituar besimin e Mourinhos te Real Madridi. /Gazeta Express/