Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë ka thënë se akterët politikë në vend duhet të gjejnë zgjidhje për krijimin e institucioneve të reja pa vonesa. BE tha se vazhdon të jetë e përkushtuar për mbështetjen e Kosovës, por shtoi se asaj i duhen institucionet për të vazhduar rrugën para drejt Unionit.
Në një përgjigje për Gazetën Express dje Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë ka refuzuar të komentojë bisedimet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për një koalicion të mundshëm, duke thënë se kjo çështje është e tyre.
Por, BE përsëriti kërkesën ndaj liderëve politikë në vend që të gjejnë zgjidhje për të dalë nga ngërçi institucional në mënyrë që Kosova të vazhdojë para në rrugën e nisur për integrime europiane.
“BE-ja nuk komenton bisedimet politike në zhvillim, negociatat apo marrëveshjet e mundshme për koalicione ndërmjet subjekteve politike. U takon akterëve politikë të Kosovës të gjejnë zgjidhje dhe të sigurojnë themelimin e institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale”.
BE-ja tha se mbetet e përkushtuar për të mbështetur zhvillimin demokratik të Kosovës dhe rrugën e saj europiane.
“Është e rëndësishme që institucionet e qëndrueshme të krijohen pa vonesë dhe të jenë në gjendje t’u përgjigjen nevojave të qytetarëve, të çojnë përpara reformat e nevojshme dhe të avancojnë agjendën e Kosovës në lidhje me integrimin në Bashkimin Euroopian”.
Thirrje të ngjashme për udhëheqësit politikë patën edhe ambasada e SHBA’së dhe ajo e Gjermanisë krahas paralajmërimeve për humbjet që po pëson vendi nga kriza politike ku u fut që nga shkurti i 2025-ës.
“Udhëheqja politike e Kosovës duhet të bashkëpunojë për të formuar institucionet në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Populli i Kosovës pret nga udhëheqësit e tij që të përmbushin zotimin për të punuar në interesin më të mirë të vendit”, tha ambasada amerikane në një përgjigje dërguar Gazetës Express pak para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit.
Ambasada e SHBA’së tha se qytetarët e Kosovës presin nga udhëheqësit e tyre që ta përmbushin zotimin për të vepruar në interesin më të mirë të vendit.
“Ky ngërç i vazhdueshëm politik po i kushton Kosovës mundësi të humbura. Ka ardhur koha që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve”.
Ndërkaq, ambasada gjermane tha se “Kosova nuk ka kohë për të humbur” dhe se duhen institucione me mandat të plotë.
“Shpresojmë që institucionet e reja të formohen në kohën e duhur dhe për një mandat të plotë, në mënyrë që të mund të vazhdojmë punën për agjendën tonë të përbashkët europiane me Kosovën”.
Përkundër thirrjeve të partnerëve, Kuvendi sot nuk u konstituua pas kërkesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për kohë shtesë “për bisedime” për çështjen e Presidentit.
Afati kushtetues për përfundimin e konstituimit të Kuvendit skadon nesër.