Trajneri shqiptar Petrit Merovci e ka arritur një tjetër sukses të madh në karrierën e tij.
26-vjeçari është emëruar trajner i ekipit U-18 të Hamburger SV, duke e bërë një hap të rëndësishëm drejt ëndrrës së tij për ta drejtuar një ditë një skuadër në Bundesligë, shkruan “Cuxhavener Nachrichten”, përcjell “Gazeta Express”

Merovci, me prejardhje nga Kosova dhe i rritur në Cuxhaven të Gjermanisë, kishte deklaruar që në vitin 2023 se synimi i tij ishte të ngjitej shkallë-shkallë si trajner.
Vetëm tre vjet më vonë, ai e ka marrë drejtimin e ekipit të sapokrijuar U-18 të Hamburgut, një nga akademitë më të njohura në futbollin gjerman.

“Dua të arrij në Bundesligë”
Petrit Merovci e sheh këtë detyrë si një mundësi të madhe për zhvillimin e karrierës së tij.
“E dua futbollin dhe më pëlqen t’i zhvilloj lojtarët. Ky është një hap i madh përpara dhe një trampolinë e shkëlqyer për të ardhmen”, është shprehur ai.
Trajneri 26-vjeçar nuk e fsheh objektivin e tij afatgjatë: “Në vitet e ardhshme do të doja të punoja në Bundesligë.”

Një sukses i ndërtuar me punë
Merovci nuk e pati një karrierë të gjatë si futbollist profesionist.
Ai luajti vetëm në ekipet zinxhir të klubeve lokale në Cuxhaven, ndërsa shumë herët vendosi t’i përkushtohej profesionit të trajnerit.
Pas përfundimit të studimeve në shkencat sportive, ai nisi ta ndërtonte hap pas hapi rrugën e tij në futbollin gjerman.

Emërimin te Hamburger SV ai ia dedikon edhe familjes së tij.
“E gjithë puna e palodhur është shpërblyer. Gjithçka që familja ime dhe unë kemi kaluar në Gjermani ia ka vlejtur”, tha Merovci. /Gazeta Express