Departamenti Amerikan i Shtetit ka informuar Kongresin mbi një plan për mbylljen e pesë konsullatave në Kanada, Grenadë, Japoni, Indonezi dhe Kamerun. Nisma është pjesë e përpjekjeve për të ulur shpenzimet dhe për të riorganizuar praninë diplomatike të SHBA-së në vende të ndryshme të botës.
Sipas planit, do të pushojnë së funksionuari konsullatat në St. George’s të Grenadës, Nagoya të Japonisë, Medan të Indonezisë, Douala të Kamerunit dhe Winnipeg të Kanadasë.
Ky vendim lidhet me reformimin e Departamentit të Shtetit nën drejtimin e Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, pas kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025.
Plani ka shkaktuar reagime kritike nga demokratët. Sipas tyre, reduktimi i pranisë amerikane në këto vende mund t’i hapë rrugë rritjes së ndikimit diplomatik të Kinës.
Senatorja Jeanne Shaheen vuri në dukje se Pekini ka tashmë përfaqësi diplomatike në disa prej shteteve ku SHBA-ja synon të mbyllë misionet. Ajo paralajmëroi se krijimi i këtij boshllëku mund të përdoret për të dëmtuar interesat amerikane.
Kundërshtime janë shprehur edhe në Kanada, ku mbyllja e konsullatës në Winnipeg shihet si një zhvillim që mund të dëmtojë bashkëpunimin ekonomik dhe diplomatik mes dy vendeve.
Brad Kirbyson, ish-zyrtar i konsullatës, deklaroi se mungesa e një përfaqësie diplomatike në pjesën qendrore të Kanadasë do ta komplikojë ruajtjen e lidhjeve me rajonin.
Departamenti Amerikan i Shtetit e ka mbrojtur masën, duke argumentuar se qëllimi është ndërtimi i një rrjeti diplomatik më efikas dhe funksional. Sipas tij, në këtë proces po ndiqen edhe procedurat ligjore për njoftimin e Kongresit.
Mbyllja e këtyre konsullatave është pjesë e një reduktimi më të gjerë të operacioneve diplomatike amerikane. Gjatë vitit të kaluar, Departamenti i Shtetit eliminoi më shumë se 1,300 vende pune, ndërsa mbi gjysma e posteve të ambasadorëve amerikanë në botë vijojnë të jenë të paplotësuara, përfshirë pozicione në vende strategjike si Gjermania, Egjipti, Arabia Saudite dhe Pakistani.