6 gushti shënon 118-vjetorin e lindjes së gjuhëtarit dhe albanologut, prof. Eqrem Çabej.
Çabej lindi me 6 gusht të vitit 1908 në Gjirokastër, ku mori edhe mësimet e para. Kreu gjimnazin në Klagenfurt (Austri) dhe ndoqi studimet e larta për gjuhësi krahasuese indoeuropiane dhe albanologji në Universitetin e Gracit e më pas në Universitetin e Vjenës, ku u diplomua si “Doktor në filozofi” (1933). Punoi si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në shkolla të mesme në Shkodër, Elbasan, Gjirokastër, Tiranë.
Në vitet 1940 u dërgua në Romë, ku punoi për Atlasin Gjuhësor Shqiptar ndër Arbëreshët e Italisë.
“Arbëreshët nuk kanë qenë vetëm njerëz të armëve, dhe nuk kanë qenë njerëz të aventurave luftarake, si mundohet t’i paraqesë shpeshherë një historiografi tendencioze. Kanë qenë përkundrazi, përveçse ushtarë, edhe njerëz të kulturës. Nga gjiri i tyre kanë dalë edhe njerëz të shquar, të cilët i kanë lënë nder atdheut të të parëve të tyre dhe atdheut të tyre të ri”, pati deklaruar Çabej, i cili u kthye në atdhe në vitin 1944.
Punoi në Institutin e Shkencave dhe qe ndër pedagogët e parë të Institutit të Lartë Pedagogjik dyvjeçar. Me themelimin e UT rifilloi veprimtarinë mësimore si pedagog i lëndëve: “Histori e gjuhës shqipe” dhe “Fonetika historike e shqipes”.
Si studiues, Eqrem Çabej dha kontribute të jashtëzakonshme në gjuhësinë historike, albanologji, etimologji, fonetikë historike, gramatikë, si edhe në studimin e letërsisë dhe folklorit shqiptar. Ai ishte ndër anëtarët themelues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të saj dhe punoi në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë deri në fund të jetës.
Përgjatë një pune shkencore pesëdhjetëvjeçare, ai trajtoi dhe argumentoi, mbi baza gjuhësore e historike, çështje që lidhen me prejardhjen e shqiptarëve dhe vazhdimësinë e tyre në trojet ku banojnë.
Ndër veprat kryesore të tij janë “Studime etimologjike në fushë të shqipes”, “Meshari i Gjon Buzukut”, botim kritik, dhe “Studime për fonetikën historike të gjuhës shqipe”.