Edon Zhegrova nuk e ka ndërmend të largohet nga Juventusi, përkundër spekulimeve të kësaj vere.
Ylli kosovar e kaloi një vit të vështirë në Torino, fillimisht një periudhë duke u munduar të rikthehej nga lëndimi e më pas edhe mungesë e formës dhe e minutave në këmbët e tij.
Sidoqoftë, ish-futbollisti i Baselit e Lillet shkëlqeu dje në ndeshjen miqësore ndaj Chelseat duke e realizuar një gol spektakolar.
Ai njëherësh u zgjodh “Lojtari i Ndeshjes” dhe u ndie i lumtur për këtë çmim dhe për golin, shkruan “Gazeta Express”.
E kur u pyet për të ardhmen, 27-vjeçari i kishte idetë e qarta.
“Jam shumë i kënaqur pas këtij goli, jam shumë i kënaqur për të gjithë skuadrën. Ne punojmë mirë dhe trajneri gjithnjë dëshiron që futbollistët të përmirësohen. Edhe unë punoj çdo ditë për t’u përmirësuar dhe shpresojmë që këtë vit gjërat të shkojnë më mirë sesa në atë të kaluar dhe shpresojmë që t’i fitojmë ndeshjet e ardhshme. Vuajta shumë sezonin e kaluar sepse e pata një problem fizik, por gjithmonë besoj te vetja. Jam i kënaqur me veten time dhe Juventusin që është një klub i madh dhe ku unë dua të qëndroj”, deklaroi Zhegrova për “Sky Sport”.
Trajneri Luciano Spalletti ndërkohë e ka përgëzuar Zhegrovën për golin, por ka thënë se kjo nuk është e mjaftueshme pasi kërkon angazhim dhe kontribut më të madh për ekipin nga ana e “Messit të Kosovës”, për të luajtur rregullisht. /Gazeta Express