Kur shumica nuk mjafton: Kurti dhe sprova e konsensusit - Gazeta Express
string(54) "kur-shumica-nuk-mjafton-kurti-dhe-sprova-e-konsensusit"

OP/ED

Gazeta Express

06/08/2026 9:25

Kur shumica nuk mjafton: Kurti dhe sprova e konsensusit

OP/ED

Gazeta Express

06/08/2026 9:25

Nga Bernard Nikaj

Sot, në ditën kur po konstituohet Kuvendi i ri, ia vlen të kujtojmë arkitekturën kushtetuese mbi të cilën është ndërtuar shteti ynë, sepse këto ditë po vihet në provë pikërisht kjoarkitekturë, jo vetëm vullneti i kësaj apo asaj partie.

Politologu holandez Arend Lijphart i trajton demokracitë moderne në dy modele kryesore. Sipas tij modeli mazhoritar ia jep pushtetin partisë fituese: kush siguron shumicën, qeveris dhe vendos. Modeli konsensual, në anën tjetër, është nje model i menduar posaçërisht për shoqëri të ndara, etnikisht, politikisht apo historikisht, ku pushteti ndahet mes blloqeve rivale, në mënyrë që fitorja e njërit të mos shndërrohet në dominim mbi tjetrin. Sipas Lijphartit, shoqëritë e brishta dhe të fragmentuara funksionojnë më mirë nën modelin e dytë, sepse konsensusi zvogëlon rrezikun që humbësit të ndihen të përjashtuar përgjithmonë nga pushteti.

Vetë Kushtetuta e Kosovës e mishëron këtë logjikë të përzier: qeveria formohet me 61 nga 120 vota, një prag pothuajse mazhoritar ne nje sistem proporcional, ndërsa presidenti zgjidhet me 80 vota, prag që kërkon domosdoshmërisht bashkëpunim përtej shumices qe krijon qeverine. Kjo nuk është rastësi, është një mekanizëm i qëllimshëm konsensual, i paraparë pikërisht për situata si kjo që po përjetojmë.

Që nga shkurti i vitit 2025, Kosova ka kaluar nëpër tri palë zgjedhje parlamentare brenda 16 muajve. Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë dalë çdo herë të parët, në dhjetor 2025 madje me mbi 51 për qind të votave, por asnjëherë nuk kanë siguruar shumicën e nevojshme për ta zgjedhur presidentin pa bashkëpunim. Në vend që këtë prag ta trajtojë si ftesë kushtetuese për kompromis, Kurti e ka parë kryesisht si një pengesë që duhet kapërcyer përmes forcës së mandatit. Kur opozita kërkoi një kandidat konsensual për Presidencën, ai këmbënguli në kandidatin e vet dhe argumentoi publikisht se opozita nuk i kishte as votat për t’i mbledhur nënshkrimet e nevojshme për ta kërkuar postin. Mirëpo ky argument e anashkalon natyrën konsensuale të institucionit: as Kurti nuk i ka 80 votat pa opozitën. Prandaj këmbëngulja e tij nuk e zgjidh kufizimin e numrave, vetëm e shtyn pranimin e kompromisit që numrat imponojnë.

Kjo nuk do të thotë se aktorët e tjerë politikë janë pa përgjegjësi. Opozita ka detyrimin të ofrojë alternativa të besueshme, të hyjë në bisedime me propozime konkrete dhe të mos e përdorë kërkesën për konsensus si veto të pakufizuar. Megjithatë, përgjegjësia nuk është e barabartë: barra më e madhe i takon forcës që ka mandatin më të fortë dhe mundësinë reale për ta kthyer atë mandat në institucione funksionale. Kushtetuta duhet lexuar si urë mes këtyre roleve, jo si armë në duart e njërës palë kundër tjetrës.

Dëmi i kësaj kulture bllokuese nuk është abstrakt, koston po e paguan çdo qytetar. Integrimi evropian, i vetmi projekt kombëtar rreth të cilit dikur kishte konsensus të gjerë, tani është peng i kalendarit elektoral. Kesti prej 96 milionë eurosh nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor kërkoi zbatimin e 13 reformave brenda afateve që politika i humbi në beteja për pushtet. Çdo muaj pa institucione të plota është muaj pa vendime për investime, pa siguri ligjore për bizneset dhe pa planifikim buxhetor afatgjatë. Në një kohë kur të rinjtë po largohen nga vendi me ritëm alarmues dhe rajoni konkurron për çdo euro investimi të huaj, Kosova po i dërgon botës sinjalin e gabuar: se paqëndrueshmëria institucionale po bëhet gjendja jonë e re normale.

Kjo nuk është thjesht çështje e kostos buxhetore të zgjedhjeve të përsëritura, sado e madhe qoftë ajo. Është kosto e besueshmërisë, besueshmëri që humbet në sytë e Bashkimit Evropian dhe partnereve tjere nderkombetar, të investitorëve dhe të vetë qytetarëve sa herë që edhe një rezultat i kutive te votimit nuk arrin të prodhojë qeverisje të qëndrueshme katërvjeçare.

Rruga përpara nuk është çështje bujarie personale, është çështje aritmetike kushtetuese. Kurti nuk i ka dhe nuk mund t’i ketë i vetëm 80 votat e nevojshme për presidentin. Kjo është e vetmja e vërtetë që nuk ndryshon, pavarësisht retorikës për mandatin e fortë. Prandaj hapja e Presidencës ndaj një kandidature qe vjennga opozita, nuk do të ishte tërheqje politike. Do të ishte rrugëdalja e vetme e mundshme drejt katër viteve të plota qeverisjeje, të cilat vetë Kurti thotë se i dëshiron. Çdo ditë vonesë e bën më të qartë se problemi nuk është mungesa e numrave, por mungesa e vullnetit për kompromisin që numrat e kërkojnë.

Le ta themi qartë: nëse Kosova shkon drejt një raundi të katërt zgjedhor, përgjegjësia politike nuk mund të ndahet mekanikisht mes të gjithë aktorëve. Opozita duhet të jetë konstruktive dhe të mos e shndërrojë konsensusin në instrument bllokimi, por nisma i takon Kurtit, sepse ai ka mandatin më të madh dhe mundësinë më të madhe për ta kthyer fitoren në institucione. Kushtetuta nuk i kërkon fituesit të heqë dorë nga mandati, i kërkon ta ushtrojë atë brenda kufijve të konsensusit. Nëse Kurti e zgjedh kompromisin, mandati i tij mund të prodhojë institucione stabile. Nëse jo, zgjedhjet e reja nuk do të dëshmojnë se sistemi kushtetues dështoi, por se fituesi më i madh refuzoi të bënte hapin që sistemi kërkon.

Advertisement
Advertisement
Advertisement