Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit ka reaguar pas publikimit të raportit nga ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, së bashku me zyrtarët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), lidhur me analizat laboratorike të mostrave të marra në qumështoret e Kosovës për nënproduktet e qumështit.
Përmes një reagimi publik, shoqata thotë se mbështet trajtimin e rasteve kur rezultatet laboratorike nuk përputhen me deklarimet në etiketat e produkteve, por njëkohësisht kërkon transparencë të plotë edhe për rastet që, sipas saj, ende nuk janë bërë publike.
Fermerët rikujtojnë se së fundmi organizuan protestë para Ministrisë së Bujqësisë, ku një nga kërkesat kryesore ishte publikimi i rezultateve të analizave për qumështin VITA 3.2%, nga mostrat e marra më 2 korrik 2026.
Sipas tyre, ministri në detyrë nuk ka qenë në gjendje të japë një përgjigje konkrete lidhur me këto rezultate, ndonëse, siç pretendojnë, në një përgjigje zyrtare të dërguar me e-mail kishte garantuar se ato do të publikoheshin jo më larg se 27 korriku 2026.
“Prandaj ne presim publikimin e rezultatit të qumështit VITA 3.2%, për hir të informimit të drejtë të opinionit”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Fermerëve Kosovarë të Qumështit.