Kurti nuk i do reflektorët vetëm tek ai dhe Abdixhiku, si i "përfshiu" në lojë edhe Hamzën dhe Gjinin - Gazeta Express
string(98) "kurti-nuk-i-do-reflektoret-vetem-tek-ai-dhe-abdixhiku-si-i-perfshiu-ne-loje-edhe-hamzen-dhe-gjinin"

Lajme

Gazeta Express

05/08/2026 13:20

Kurti nuk i do reflektorët vetëm tek ai dhe Abdixhiku, si i “përfshiu” në lojë edhe Hamzën dhe Gjinin

Lajme

Gazeta Express

05/08/2026 13:20

Anipse dy partitë ia bënë te qartë qëndrimin e tyre se nuk duan takime, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, vazhdon t’i mbajë si pjesë të diskutimit Partinë Demokratike të Kosovës, dhe, Aleancën. Kurti që dje u takua për së dyti herë me të parin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në konferencën për media, sërish gjeti hapësirë që të flasë për PDK dhe Aleancën, që udhëhiqen nga Bedri Hamza e Ardian Gjini, shkruan Gazeta Express.

Paraprakisht, teksa hynte në ndërtesën e Kuvendit tha se për Presidentin ka përgjegjësi krejt opozita.

Si i pari, edhe takimi i djeshëm mes Kurti e Abdixhikut, zgjati më shumë se dy orë. Por, për dallim nga ai i pari, ku shihej e deklarohej më shumë pozitivitet, dje, u panë edhe mospajtime, ani pse, s’u tha zyrtarisht nga liderët.

Çështja e presidentit, duket se është ende enigmë e pazgjidhur për partitë, përderisa Kurti bëri thirrje për figurë ‘’konsensuale’’, e, Abdixhiku, deklaronte se LDK duhet të ndihet e ‘’përfaqësuar’’.

Ajo që shfaqi më së shumti mospajtimet, ishin deklaratat e të dy liderëve për mundësinë e zgjedhjeve të reja, të cilët, pavarësisht takimeve, thanë se një proces i ri zgjedhor është i mundshëm.

Në këtë mes, Kurti, e bëri të mundur që t’i ‘përfshinte’ edhe Hamzën e Gjinin. Gjatë deklarimit të tij, Kurti tha se ka ‘’shumë tema për t’i diskutuar’’, me Hamzën e Gjinin, edhe pse çështja kyçe e ngërçit politik është zgjedhja e presidentit të ri.

“Në anën tjetër, për dallim prej kryetarit të AAK-së, i cili u vetëpërjashtua para se të fillojë procesi i bisedimeve, e kemi një situatë tjetër gjithashtu jo të lehtë, për shkak se kryetari i PDK-së u vetëpërjashtua në fillim të procesit të bisedimeve. Zhvilluam vetëm një takim, unë besoj që duhet të takohemi edhe më tej. Kjo nuk u bë e mundur. Vullneti dhe gatishmëria ime, përveçse interesimi im, do të jenë gjithmonë aty. Pra, në një kohë të përshtatshme, në cilindo vend që zgjedhin ata, unë jam i gatshëm që të takohem edhe me kryetarin e AAK-së, edhe me kryetarin e PDK-së. Kemi aq shumë tema për t’i diskutuar, nuk besoj që nuk ka diçka për të cilën nuk pajtohemi, ka shumë gjëra për të cilat pajtohemi dhe që mund t’i shndërrojmë në një plan veprimi. Në anën tjetër, për interes shtetëror, edhe nëse kemi mospajtime, nuk besoj që të gjitha mospajtimet ngelen të tilla nëse ne takohemi edhe përpiqemi që t’i urëzojmë ato”, deklaroi dje Kurti.

Reagimi i Gjinit ishte i menjëhershëm ndaj Kurtit, të cilit, i tha se s’duhet të insistojë takim.

“Mos insisto me u taku me mua, sepse nuk ke për çka me u taku me mua. Ti që e ke pru Kosovën në ditën që duhet me ble gurë prej Serbisë”, deklaroi ai.

Ndryshe Aleanca, ka javë që ka paraqit gjashtë pika për plotësim, si kërkesë që deputetët e tyre të marrin pjesë në votim e presidentit të ri.

Edhe PDK’ja, që nga takimi i parë i Hamzës dhe Kurtit, e ka bërë të qartë se do të qëndrojnë në opzitë.

Në anën tjetër, seanca konstituive e Kuvendit është e thirrur për ditën e nesërme./GazetaExpress

Advertisement
Advertisement
Advertisement