Lionel Messi e ka treguar edhe një herë anën e tij humanitare duke i dhuruar 80 mijë euro për rindërtimin e zonës Sierra Oeste në Madrid, e cila u godit nga një prej zjarreve më të mëdha pyjore në historinë e rajonit.
Kontributi i yllit argjentinas u bë publik nga presidentja e Komunitetit të Madridit, Isabel Díaz Ayuso, e cila e falënderoi publikisht ish-kampionin e botës.
“Dua ta falënderoj dhe t’i them se njerëzit e Madridit shpresojnë ta presin së shpejti për t’i dhënë duartrokitjet që i meriton”, deklaroi Ayuso, përcjell “Gazeta Express”.
Shuma e dhuruar nga Messi do të përdoret për rindërtimin e komunave të dëmtuara nga zjarri, i cili dogji mbi 27 mijë hektarë tokë, shkatërroi dhjetëra banesa dhe detyroi më shumë se 55 mijë persona të evakuoheshin ose të qëndronin të izoluar.
Sipas autoriteteve spanjolle, përfaqësuesit e Messit e kontaktuan vetë qeverinë rajonale për ta pyetur se si mund të realizohej donacioni, duke e kanalizuar ndihmën përmes fondit zyrtar të krijuar për rindërtimin e zonës së prekur.
Ky akt i fundit mirësie është në përputhje me angazhimin e gjatë të Messit për punë bamirësie, të cilën ai e ka formalizuar përmes Fondacionit Leo Messi që nga themelimi i tij në vitin 2007.
Fondacioni u krijua fillimisht për t’i mbështetur iniciativat e kujdesit shëndetësor, arsimit dhe sporteve për fëmijët në nevojë në të gjithë globin.
Ndër vite, kapiteni i Inter Miamit e ka hapur shpesh portofolin e tij gjatë kohërave të krizës.
Gjatë pandemisë globale në vitin 2020, ai ua dhuroi afërsisht 550,000 dollarë spitaleve në Argjentinën e tij për ventilatorë dhe furnizime mjekësore.
Ai gjithashtu e bëri një donacion prej 1.1 milion dollarësh të ndarë midis Klinikës Spitalore në Barcelonë dhe qendrave të tjera mjekësore në Spanjë.
Lidhjet e Messit me Spanjën mbeten të forta pavarësisht transferimit të tij në Major League Soccer, dhe veprimet e tij të fundit në Madrid e pasqyrojnë mbështetjen e tij të mëparshme për rajonet e tjera spanjolle.
Ai tregoi solidaritet edhe për qytetin e Valencias duke i dhuruar 1.1 milion dollarë të tjerë për t’i ndihmuar viktimat e përmbytjeve shkatërruese në atë zonë. /Gazeta Express