Gianni Infantino nuk ka qenë kurrë më i izoluar. Kundër presidentit të FIFA-s po rritet pakënaqësia dhe gjithnjë e më shumë federata në botë po e shfaqin publikisht kundërshtimin e tyre.
Sipas mediumit “Times”, UEFA (Evropë), CONCACAF (Amerika e Veriut dhe Qendrore) dhe AFC (Azia) po e diskutojnë edhe një plan për krijimin e një kompeticioni alternativ ndaj Kupës së Botës të organizuar nga FIFA, përcjell “Gazeta Express”.
Rritet opozita ndaj Infantinos
Situata po bëhet gjithnjë e më e tensionuar edhe në prag të zgjedhjeve presidenciale të FIFA-s në marsin e vitit 2027.
Federata e Uellsit e ka tërhequr zyrtarisht mbështetjen për Infantinon, ndërsa edhe Federata Angleze e ka ndjekur një linjë të ngjashme.
UEFA, nga ana tjetër, ka kërcënuar me veprime ligjore duke e kërkuar ruajtjen e dokumenteve që lidhen me planet financiare të FIFA-s, përfshirë edhe ofertën prej 40 milionë dollarësh për federatat mbështetëse.
Mundësi për bojkot ndaj FIFA-s
Ndër opsionet që po shqyrtohen nga aleanca e federatave janë bojkoti i mbledhjeve të Këshillit të FIFA-s dhe organizimi i turneve paralelë.
Pakënaqësia lidhet veçanërisht me mënyrën e drejtimit të organizatës dhe disa iniciativa të Infantinos, të cilat kanë shkaktuar kundërshtime brenda botës së futbollit.
Si do të funksiononte një Botëror alternativ?
Ideja e një kompeticioni të ri do të bazohej në një format të ngjashëm me një Ligë të Kombeve në nivel botëror.
Kombëtaret më të mira nga secila konfederatë do të kualifikoheshin në një fazë finale globale, ku do të ndaheshin në disa nivele sipas renditjes FIFA.
Në secilin grup do të kishte nga 8 ekipe dhe ndeshjet do të zhvilloheshin direkt nga faza çerekfinale.
Kështu, kombëtaret më të forta do të përballeshin mes tyre, ndërsa çdo federatë do të kishte mundësi të merrte pjesë në një nivel të përshtatshëm për forcën e saj sportive.
Një projekt i tillë do ta ndryshonte rrënjësisht mënyrën se si organizohen kompeticionet ndërkombëtare, duke e krijuar një lloj “Mini-Botërori” me më shumë ndeshje mes ekipeve të nivelit të ngjashëm.
Për momentin bëhet fjalë vetëm për një ide dhe jo për një vendim zyrtar, por tensionet mes disa konfederatave dhe drejtimit aktual të FIFA-s e kanë arritur një nivel të paprecedentë. /Gazeta Express