Kevin De Bruyne ka vendosur së bashku me familjen e tij të qëndrojë te Napoli të paktën edhe për një sezon tjetër, pavarësisht interesimit nga klubet e MLS-së, raportojnë mediat belge.
Më herët ishte menduar se mesfushori belg do të kërkonte largimin këtë verë, pasi sezoni i tij i parë në Serie A u dëmtua nga një lëndim i rëndë, ndërsa kishte edhe pakënaqësi lidhur me stilin e lojës së trajnerit Antonio Conte.
Me largimin e Contes dhe ardhjen e Massimiliano Allegrit, shumë prisnin që De Bruyne të kërkonte një aventurë të re, pasi tekniku italian njihet për një qasje edhe më konservatore në lojë.
Gjatë javëve të fundit u raportua për interesim nga disa klube të Major League Soccer, përfshirë Chicago Fire, San Diego FC dhe madje edhe Inter Miami.
Megjithatë, gazetari belg i merkatos, Sacha Tavolieri, raporton se De Bruyne ka marrë vendimin për të vazhduar karrierën te Napoli edhe për një vit tjetër.
Një nga arsyet kryesore të këtij vendimi mbetet lidhja e fortë që ai dhe familja e tij kanë me qytetin e Napolit.
Në fakt, ishte pikërisht jeta pranë detit që e bindi De Bruynen të zgjidhte Napolin verën e kaluar, pasi i përfundoi kontrata me Manchester Cityn.
Belgu ka një lidhje të veçantë me qytetin italian. Ai zgjodhi zonën e Napolit edhe për ceremoninë e martesës së tij dhe shpesh është rikthyer atje për pushime familjare.
Nga ana tjetër, edhe drejtuesit e Napolit kanë qenë të qartë se De Bruyne ka kontratë me klubin dhe, për rrjedhojë, nuk kishte asnjë arsye për të diskutuar të ardhmen e tij./GazetaExpress/