A keni nxehtë? A po flladiteni hiç? Kosova ka hy në një javë me temperatura verore ama të mbushun me kulturë, muzikë, art kontemporan dhe ngjarje alternative. Qe lista Monday Marks: DokuFest feston 25-vjetorin në Prizren me 223 filma, muzikë DokuNights dhe mysafirë ndërkombëtarë, ndërsa në Prishtinë nis festivali “As anej as knej”, i fokusum në artin dhe kulturën e diasporës përmes filmave, debateve, punëtorive dhe muzikës.
Në Galerinë Kombëtare – Qafa prezantohet ekspozita “The Blue Hour” e Anita Muçollit; adhurusit e hip-hopit mujnë shku n’koncertin “Ritëm & Poezi” në Gërmi me artistë të rinj dhe emra të njohun të skenës, ndërsa EtnoFest në Kukaj sjell një program njëjavor me teatër, muzikë, film, antropologji dhe artizanat.
Për eksperienca ma ndryshe, Ulpi Bar organizon një mbramje kushtume tarotit, ndërsa Gims nga Congo/Franca kryeson një festival dyditor në Prishtina Mall bashkë me Morad, Azet dhe artistë të tjerë.
Jashtë Kosovës, Porto Palermo Festival në bregdetin shqiptar ofron koncerte në një nga lokacionet më piktoreske të vendit, ndërsa në Prishtinë, kinemaja IMAX e Albi Mall shfaq dy nga filmat më të komentuar të momentit: “The Odyssey” të Christopher Nolan dhe “Spider-Man: Brand New Day”.