KF Dukagjini ka njoftuar zyrtarisht përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Arsim Thaçi, si dhe me ndihmëstrajnerët Valmir Bytyqi, Ahmet Haliti dhe Lekë Termkolli.
Përmes një komunikate, klubi nga Klina bëri të ditur se ndarja është bërë me marrëveshje të dyanshme.
Dukagjini ka shprehur mirënjohjen për punën, përkushtimin dhe kontributin e trajnerit Thaçi dhe stafit të tij gjatë periudhës së bashkëpunimit, duke theksuar se ata kanë qenë pjesë e rëndësishme e rrugëtimit të klubit falë profesionalizmit dhe angazhimit të treguar.
Klubi i falënderoi ata në emër të drejtuesve, futbollistëve dhe tifozëve për gjithçka kanë dhënë për fanellën e Dukagjinit.
Në fund të komunikatës, KF Dukagjini i uroi Arsim Thaçit, Valmir Bytyqit, Ahmet Halitit dhe Lekë Termkollit shumë suksese në vazhdim të karrierës dhe në sfidat e ardhshme, si në aspektin profesional ashtu edhe në atë personal./GazetaExpress/