Josko Gvardiol ka pranuar se Manchester City do ta ndiejë mungesën e Bernardo Silvës pas transferimit të bujshëm të mesfushorit te Real Madrid. Ylli portugez vendosi të rikthehet në Spanjë këtë verë, duke iu bashkuar skuadrës së “Los Blancos”, që tani drejtohet nga Jose Mourinho.
Mbrojtësi i Manchester Cityt, Gvardiol, ka folur për largimin e mikut të tij të ngushtë, Silvës, i cili kompletoi transferimin në “Santiago Bernabeu” pasi i skadoi kontrata me klubin anglez. Silva ishte një figurë kyçe gjatë dekadës së dominimit të Pep Guardiolës, por tani ka zgjedhur të nisë një sfidë të re në La Liga nën drejtimin e Mourinhos.
Duke folur për “The Athletic”, Gvardiol shprehu trishtimin e tij personal, por edhe respektin për vendimin e Silvës.
“Bernardo dhe unë jemi miq shumë të mirë. Sa shumë kemi humbur? Do ta kuptojmë kur të mblidhemi në fillim të sezonit, por sigurisht që do të na mungojë. Bernardo po kthehet aty ku e ndien se i përket; ai kishte folur për Spanjën prej një kohe shumë të gjatë”, deklaroi Gvardiol.
Transferimi i Silvës te Real Madrid konsiderohet një fitore e rëndësishme në merkato për klubin madrilen, pasi mesfushori kishte shumë admirues në Spanjë. Përpara se marrëveshja të finalizohej, ai kishte zhvilluar bisedime edhe me Atletico Madridin dhe Barcelonën.
“Los Blancos” kanë qenë shumë aktivë në këtë afat kalimtar, duke afruar gjithashtu Denzel Dumfries dhe Ibrahima Konate për repartin defensiv. Transferimi falas i Silvës shihet si një lëvizje e zgjuar, pasi i ka lejuar klubit të ruajë fondet për objektiva të tjerë të rëndësishëm.
Ndërkohë që Silva po përshtatet me jetën në Madrid, Manchester City po kalon një periudhë tranzicioni pas përfundimit të epokës së Pep Guardiolës. Klubi ka zgjedhur Enzo Marescën si trajnerin ideal për ta udhëhequr skuadrën në këtë kapitull të ri. Pavarësisht humbjes në një ndeshje miqësore të parasezonit ndaj Interit, skuadra mbetet optimiste për ndryshimet taktike që po zbaton tekniku italian.
Edhe çështja e shiritit të kapitenit në “Etihad” vazhdon të jetë temë diskutimi, sidomos tani që Bernardo Silva nuk është më pjesë e grupit drejtues të skuadrës.
“Është e vështirë të flas për këtë çështje tani dhe duhet të presim për të parë se çfarë do të ndodhë. Ruben Dias është një nga liderët e ekipit dhe ka shumë gjasa që ta marrë këtë rol edhe më shumë në periudhën e ardhshme, ndoshta duke u bërë kapiteni i parë i skuadrës”, përfundoi Gvardiol./GazetaExpress/