Tottenham Hotspur po synon një nga transferimet më të mëdha të kësaj vere. Sulmuesi nigerian Victor Osimhen, ylli i Galatasarayt, është në krye të listës së dëshirave të klubit londinez, i cili synon të përforcojë repartin ofensiv me kërkesë të Roberto De Zerbit, trajnerit italian që vazhdon ndërtimin e skuadrës para sezonit të ri.
Raportimet e lidhin Tottenhamin me një lëvizje serioze për Osimhenin, ndërsa oferta e parë thuhet se pritet të jetë mes 50 dhe 55 milionë funteve.
Megjithatë, Galatasaray kërkon rreth 65 milionë funte për ta lënë të lirë golashënuesin e tij kryesor. Disa e konsiderojnë këtë vlerësim të lartë, duke pasur parasysh kontratën afatgjatë të lojtarit dhe rëndësinë që ai ka në skuadrën turke.
De Zerbi dëshiron një sulmues klasik që mund të bëjë diferencën, veçanërisht duke pasur parasysh të ardhmen e pasigurt të Richarlisonit dhe faktin që Dominic Solanke ende nuk i ka zgjidhur problemet në sulm.
Sipas italianit, Osimhen është profili ideal: një pikë referimi në repartin ofensiv, i përshtatshëm për stilin e lojës me posedim, me forcë fizike, shpejtësi dhe lëvizje inteligjente brenda zonës.
Sajti “CaughtOffside”, duke cituar burime pranë agjentëve të lojtarit, raporton se Tottenham ka marrë dritën jeshile në aspektin sportiv për të nisur negociatat zyrtare për transferimin.
Të njëjtat burime besojnë se arritja e marrëveshjes për kushtet personale nuk pritet të jetë një pengesë e madhe për kalimin e reprezentuesit të Nigerisë në Premier League.
Osimhen zhvilloi një sezon fantastik me Galatasarayn. Ai shënoi 41 gola dhe dha 10 asistime në 52 ndeshje në të gjitha garat, statistika që shpjegojnë interesimin e klubeve më të mëdha të Evropës.
De Zerbi beson se instinkti i tij për gol dhe prania në zonë mund ta transformojnë sulmin e Tottenhamit.
Edhe përzgjedhësi i Nigerisë, Eric Chelle, e ka lavdëruar sulmuesin, duke e cilësuar si “sulmuesin më të mirë në botë” pas paraqitjeve të tij në sezonet e fundit.
Pavarësisht interesimit në rritje, deri tani nuk ka pasur kontakte zyrtare apo negociata të drejtpërdrejta mes Tottenhamit dhe Galatasarayt.
Drejtuesit e klubit londinez janë të vetëdijshëm se një marrëveshje e kësaj përmase mund të jetë e vështirë për shkak të shpenzimeve të mëdha në këtë afat kalimtar, përveç nëse arrijnë të shesin disa lojtarë.
Shumëçka mund të varet nga Richarlison. Braziliani ende nuk ka vendosur nëse do të qëndrojë apo do të largohet.
Sipas “The Guardian”, De Zerbi preferon që ai të mbetet në skuadër, por e di se lojtari ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.
Me më pak se një vit të mbetur në kontratë, largimi i Richarlisonit mund t’i sigurojë klubit fonde shtesë, por njëkohësisht do ta bënte të domosdoshme afrimin e një zëvendësuesi të nivelit të lartë.
Megjithatë, transferimi nuk pritet të jetë i lehtë. Për Osimhenin interesohen edhe disa nga gjigantët evropianë, veçanërisht Manchester United, Chelsea dhe Atletico Madrid, gjë që mund ta rrisë çmimin dhe ta vështirësojë pozicionin e Tottenhamit në negociata.
Pak sulmues në Evropë janë kaq të kompletuar. Shpejtësia, forca fizike, presioni i lartë dhe finalizimi i saktë e bëjnë Osimhenin një përshtatje ideale taktike për Tottenhamin.
Megjithatë, faktori vendimtar mbetet aspekti financiar. Sigurimi i tij për rreth 60 milionë funte do të ishte një lëvizje logjike, por tejkalimi i shifrës prej 100 milionë funteve do të përbënte një rrezik të madh, sidomos pas shpenzimeve të konsiderueshme që klubi ka bërë në këtë afat kalimtar./GazetaExpress/