Mirlind Daku i ka dhënë lamtumirën Rubin Kazanit në mënyrën më emocionale të mundshme.
Klubi rus ka publikuar një video rreth 20-minutëshe, ku janë përmbledhur momentet më të veçanta të sulmuesit shqiptar para, gjatë dhe pas ndeshjes së javës së dytë të kampionatit rus ndaj Akronit, e zhvilluar të shtunën.
Pamjet përfshijnë golin e Dakut, emocionet pas vërshëllimës përfundimtare, përqafimet me bashkëlojtarët, si dhe fjalimin e mbajtur në dhomat e zhveshjes para skuadrës dhe stafit teknik.
Sulmuesi nuk arriti t’i fshehë lotët, teksa bashkëlojtarët e ngritën mbi supe pas përfundimit të takimit.
Gjithçka lë të kuptohet se kjo ishte paraqitja e fundit e tij me fanellën e Rubin Kazanit.
Daku realizoi gol në fitoren ndaj Akronit, duke e çuar në dy numrin e golave në po aq ndeshje të këtij edicioni.
Në fjalimin e tij para ekipit, ai falënderoi të gjithë për periudhën e kaluar në Kazan.
“Faleminderit shumë për këto tri sezone që kemi kaluar së bashku. E di që vij nga një ligë më modeste se kjo e Rusisë dhe do të doja të falënderoja të gjithë futbollistët rus që na bëjnë ne të huajve të ndihemi si në shtëpi këtu. Nuk di çfarë tjetër të them… Është e vështirë për mua, por është pjesë e jetës dhe është e rëndësishme të ruajmë gjithmonë marrëdhëniet që kemi. Faleminderit shumë”, tha Daku në videon e publikuar të dielën.
Sipas raportimeve të mediave ruse, transferimi i tij te Spartak Moscow konsiderohet tashmë i mbyllur, me klubin e kryeqytetit që pritet të paguajë rreth 11 milionë euro për kartonin e sulmuesit.
Daku iu bashkua Rubin Kazanit në vitin 2023 dhe gjatë aventurës së tij në elitën ruse realizoi 37 gola në kampionat. Përveç paraqitjeve në nivel klubesh, ai është edhe pjesë e kombëtares së Shqipërisë.
Gjatë qëndrimit në Kazan, ai u shndërrua në lojtarin më të rëndësishëm të skuadrës, ndërsa trajneri Frank Artiga nuk i kurseu vlerësimet për të.
“Nuk e di saktësisht se çka do të ndodhë nesër apo gjatë javës, por shenjat janë goxha të qarta. Dhe pavarësisht se çka ndodh, Daku, pos që është lojtar i madh, është person shumë i dashur në zhveshtore. Ai është lojtar që i jep skuadrës shpirtin e duhur. E ka dërguar Rubinin në një tjetër nivel. Çka do të ndodh, i dëshirojmë fat”, ka thënë Artiga.
Edhe ish-trajneri i Rubin Kazanit, Rashid Rakhimov, kujtoi mënyrën se si klubi vendosi ta transferonte Dakun, duke theksuar se kishte besuar në cilësitë e tij që nga fillimi.
“Mora përgjegjësinë për transferimin e tij. Thanë se ishte i padobishëm, se askush nuk kishte nevojë për të, edhe pasi gjithçka ishte vendosur. Në fund, e blenë për 1.2 milion. Ne folëm me presidentin e klubit Marat Safiullin dhe më në fund arrita ta bindja. Premtova se mund ta shisnim për 4-5 milionë euro. I jam mirënjohës presidentit që na ndihmoi dhe morëm vendimin e duhur”, ka thënë Rakhimov për mediumin rus “Sport”.
“Mendoj se ai mund të luajë për Spartakun. Është çështje se si është trajtuar. Është e rëndësishme që trajneri të kuptojë se ai nuk është zëvendësues. Ai duhet të hyjë menjëherë në fushë dhe të gjejë ritmin. Mund të zëvendësohet në minutën e 70-të, por duhet të rimëkëmbet dhe të futet në lojë. Një lojtar me atributet e tij fizike dhe aftësitë e tij me topin do të jetë një aset për çdo ekip”, shtoi ai.
Vlerësime të mëdha për Dakun ka dhënë edhe ish-futbollisti i Lokomotivës së Moskës dhe përfaqësueses së Rusisë, Yuri Semin, i cili deklaroi se Spartaku “ka blerë lojtarin më të mirë të kampionatit”.
Megjithëse nuk kanë munguar opinionet se stili i tij mund të mos i përshtatet Spartakut, gjithçka tregon se Daku është pranë transferimit te një nga klubet më të mëdha dhe më të suksesshme të futbollit rus./GazetaExpress/