Kriza e Gianni Infantinos është larg përfundimit.
Presidenti i FIFA-s, i cili tashmë ka marrë një ultimatum nga UEFA për të dhënë dorëheqje, po përballet me presion edhe nga CONCACAF, Konfederata e Futbollit të Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Karaibeve, e cila të shtunën kërkoi një rishikim të plotë të presidencës së tij.
Sipas gazetës franceze “L’Équipe”, CONCACAF e shtoi presionin ndaj Infantinos pasi përshëndeti, përmes një deklarate zyrtare, vendimin e tij për të hequr dorë nga projekti për shitjen e aksioneve të Kupës së Botës, duke vlerësuar njëkohësisht unitetin e familjes së futbollit.
“Në një moment që kërkonte udhëheqje të ndershme, anëtarët tanë qëndruan të bashkuar për të mbrojtur interesat afatgjata të futbollit dhe parimet e qeverisjes së mirë. Ky unitet triumfoi”, thuhet në deklaratën e CONCACAF.
Megjithatë, konfederata theksoi se kundërshtimi ndaj projektit nuk ishte diçka e re, pasi ajo e kishte bërë të qartë qëndrimin e saj edhe më herët.
CONCACAF nënvizoi se mirëpritja e tërheqjes së projektit është një gjë, por mjaftimi vetëm me këtë vendim është diçka krejt tjetër.
Sipas deklaratës, “e ardhmja e Kupës së Botës, aseti më i rëndësishëm i futbollit, u zhvillua jashtë çdo kuadri ekzistues të qeverisjes dhe pa transparencë, konsultim apo procedura të mirëfillta.”
Konfederata shtoi se ajo që ndodhi “është simptomë e një qeverisjeje që ka ndaluar së vendosuri futbollin në plan të parë” dhe vlerësoi se “zhvillimi i një rishikimi të plotë të kësaj presidence është thelbësor.”
Qëndrimi i CONCACAF përputhet me atë të konfederatave të tjera kontinentale, në veçanti me UEFA-n, e cila sipas raportimeve i ka kërkuar Infantinos të japë dorëheqje ose, në të kundërtën, të përballet me një votë mosbesimi.
Në fund të deklaratës, CONCACAF bëri të ditur se përfaqësuesit e saj “do të ndërhyjnë drejtpërdrejt, si dhe përmes Këshillit të FIFA-s, për të siguruar që çështjet e qeverisjes, përgjegjshmërisë dhe udhëheqjes të trajtohen në mënyrën e duhur, përmes institucioneve dhe procedurave të përcaktuara nga rregulloret e federatës ndërkombëtare”./GazetaExpress/