Analisti Agon Maliqi ka treguar për vizitën e një delegacioni të shoqërisë civile në Uashington, ku kanë zhvilluar takime me zyrtarë të pushtetit ekzekutiv, anëtarë të Kongresit, analistë dhe përfaqësues të administratës aktuale amerikane.
Maliqi tha se gjatë këtyre takimeve është vërejtur se raporti ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është në një pikë të ndjeshme.
“Raporti nuk ka qenë asnjëherë më i brishtë. Ka një moskuptim nga ana e Uashingtonit mbi orientimin strategjik të Kosovës. Nuk shihet asnjë interesim nga ana e Kosovës për ta thelluar këtë marrëdhënie ose për të ecur përpara bashkërisht”, tha Maliqi.
Sipas tij, qasja e Uashingtonit tashmë është që të mos ndërhyjë në mikromenaxhimin e proceseve në Kosovë.
“Qasja e tyre është: nuk ndërhyjmë më në mikromenaxhim, thonë ëse ju jeni sovran, keni të drejtë të bëni çfarë është brenda ligjit. Mirëpo, në një farë forme edhe ne jemi shtet sovran dhe nëse keni nevojë për ndihmën tonë, atëherë duhet të ulemi së bashku dhe të flasim si të ecimi përpara”, u shpreh ai në Klan Kosova
Maliqi theksoi se Kosova ka nevojë për mbështetjen e SHBA-së, sidomos për avancimin e saj në arenën ndërkombëtare.
“Kosova ka nevojë për SHBA-në. Ka pasur historikisht nevojë për ta thyer asimetrinë e fuqisë që ka në raport me BE-në, për të futur Kosovën në NATO, për të ecur përpara me njohjet”, tha ai.
Sipas analistit, Kosova aktualisht po tregohet shpërfillëse ndaj SHBA-së, ndërsa shtoi se Serbia dhe Republika Sërpska kanë investuar më shumë në forcimin e marrëdhënieve në Uashington.
“Për momentin është krejtësisht shpërfillëse ndaj SHBA-ve. Nuk kemi as kompani lobimi, ndërkohë që Serbia i ka gjashtë, Republika Sërpska i ka 14 në Uashington dhe është në ofensivë krejtësisht të plotë atje, dhe po i thellon marrëdhëniet aty ku ka rëndësi, në ekonomi”, deklaroi Maliqi.
“Marrëdhëniet janë të brishta dhe nuk shikohet askush që mund të jetë partner. Rreziqet në këtë kontekst për Kosovën janë thellimi i izolimit. Prandaj, ky moment i informimit të institucioneve është shumë i rëndësishëm”, përfundoi Maliqi.