Milani po shqyrton mundësinë e rikthimit të Brahim Diazit në “San Siro”, ndërsa vazhdon kërkimin për një mesfushor të ri ofensiv.
Interesimi për rikthimin e marokenit vjen mes pasigurive në rritje rreth së ardhmes së Rafael Leaos, i cili ka lënë të kuptohet se mund të largohet drejt Turqisë pas shtatë vitesh te kuqezinjtë.
Sipas “Calciomercato.com”, duke iu referuar “Corriere della Sera”, Milani e ka vendosur Diazin si një nga objektivat kryesorë pasi dështoi të transferonte Konstantinos Karetsas, i cili iu bashkua Borussia Dortmundit për 33 milionë euro.
Përveç Diazit, drejtuesit e Milanit po shqyrtojnë edhe emrat e Ethan Nwanerit dhe Matias Soulés.
Një rikthim në “San Siro” konsiderohet si një zgjidhje ideale, pasi Brahim Diaz gjatë periudhës së tij të parë me Milanin regjistroi 18 gola dhe 15 asistime në 124 paraqitje, duke qenë pjesë e skuadrës që fitoi titullin e Serie A në vitin 2022.
Ndërkohë, çështja kryesore e merkatos për Milanin mbetet e ardhmja e Rafael Leaos.
Sulmuesi portugez raportohet se ua ka bërë të qartë drejtuesve se cikli i tij shtatëvjeçar në “San Siro” ka përfunduar dhe se është gati të kërkojë një sfidë të re.
Edhe pse preferenca e tij fillestare ishte një transferim në Premierligë ose La Liga, mungesa e ofertave konkrete nga këto kampionate e ka shtyrë të marrë në konsideratë një kalim në Superligën turke.
Galatasaray është aktualisht favorit për transferimin e Leaos, duke i ofruar pjesëmarrjen e garantuar në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve.
Portugezi është i hapur për këtë lëvizje, por kërkon një pagë vjetore prej mbi 10 milionë eurosh, ndërsa Milani vazhdon të këmbëngulë për një shitje të përhershme dhe jo për një huazim.
Brahim Diaz ka kontratë me Real Madridin deri në vitin 2027.
Përpara se të orientohej drejt Kerim Alajbegovicit të Bayer Leverkusenit, edhe Juventusi kishte shfaqur interes për mesfushorin maroken.
Për Milanin, rikthimi i Diazit do të përfaqësonte një përforcim të menjëhershëm në aspektin e kreativitetit ofensiv, pas dështimit për të siguruar objektivat e parë të merkatos./GazetaExpress/