Drejtori sportiv i Romës, Tony D’Amico, ka udhëtuar në Spanjë për të zhvilluar bisedime me Real Madridin, me synimin për të siguruar në huazim dy nga talentet më të mëdha të klubit, Endrick dhe Franco Mastantuono.
“Verdhekuqtë” kanë një buxhet të kufizuar për merkaton, pavarësisht kualifikimit në Ligën e Kampionëve, dhe pas vështirësive për të mbyllur marrëveshje të përhershme, kanë vendosur të fokusohen te huazimet nga gjiganti spanjoll.
Nuk është sekret se Real Madridi dëshiron që Endrick dhe Mastantuono të luajnë rregullisht për të vazhduar zhvillimin e tyre, sidomos pas suksesit që pati Nico Paz gjatë huazimit te Como.
Fiorentina konsiderohet favoritja për transferimin e Mastantuonos, pasi u konfirmua se Real Madridi dëshiron ta huazojë vetëm te një klub evropian, duke refuzuar mundësinë e rikthimit të tij te River Plate.
Megjithatë, Roma është futur fuqishëm në garë dhe u ofron të dy lojtarëve mundësinë për të luajtur në Ligën e Kampionëve, çka mund ta vendosë klubin kryeqytetas në një pozitë më të favorshme.
Sipas “Tuttomercatoweb”, “Il Messaggero” dhe “Sportitalia”, arsyeja kryesore e udhëtimit të D’Amicos në Spanjë është pikërisht tentativa për të bindur Real Madridin ta lëshojë Endrickun në huazim.
Sulmuesi brazilian mbushi 20 vjeç javën e kaluar dhe gjashtë muajt e fundit i kaloi në huazim te Olympique Lyon.
Real Madridi pagoi 47.5 milionë euro për ta transferuar talentin nga Palmeiras në vitin 2024, por nuk mund t’i garantojë minuta të rregullta në “Bernabéu”.
Eksperti i merkatos i Sportitalia, Alfredo Pedullà, pohon se Roma e ka ndjekur Endrickun prej të paktën një muaji, por drejtuesit e klubit janë të vetëdijshëm se do të jetë shumë e vështirë të arrijnë një marrëveshje, qoftë edhe vetëm në formë huazimi./GazetaExpress/