Ylli i Chelseat, Mykhailo Mudryk, është lejuar të rikthehet menjëherë në futboll, pasi Federata Angleze e Futbollit (FA) konfirmoi se procedurat disiplinore ndaj tij kanë përfunduar dhe pezullimi është hequr.
Reprezentuesi i Ukrainës ishte pezulluar përkohësisht në dhjetor të vitit 2024, pasi rezultoi pozitiv ndaj substancës së ndaluar meldonium.
Në prill të vitit 2026 u njoftua se Mudryk ishte dënuar me një pezullim katërvjeçar, dënimi më i rëndë i këtij lloji në historinë e Premierligës.
Futbollisti apeloi vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), duke angazhuar firmën ligjore Morgan Sports Law, e cila më parë ka mbrojtur edhe Paul Pogban dhe boksierin Tyson Fury.
Pasi ishte ndaluar të luante dhe të stërvitej me Chelsean, ish-anësori i Shakhtar Donetsk tani është i lirë të rifillojë karrierën e tij, pas ndryshimeve të bëra në dokumentin teknik të Agjencisë Botërore Anti-Doping (WADA).
Mudryk do t’i bashkohet Chelseat në Hong Kong për fazën përgatitore para sezonit të ri.
Në deklaratën zyrtare të FA-së thuhet: “FA konfirmon se procedurat disiplinore anti-doping ndaj Mykhailo Mudryk u zgjidhën më 30 korrik 2026 me marrëveshjen e Agjencisë Botërore Anti-Doping (WADA). Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, z. Mudryk pranoi se kishte kryer shkelje të rregullave anti-doping dhe pranoi një periudhë pezullimi. Më 22 tetor 2024, Mudryk iu nënshtrua një kontrolli anti-doping jashtë garave, ku u zbulua një përqendrim i ulët i meldoniumit, një substancë e ndaluar. FA e njoftoi Mudrykun për rezultatin më 4 dhjetor 2024 dhe vendosi pezullimin e përkohshëm. Më 23 maj 2025, ai u akuzua për shkelje të rregulloreve anti-doping. Nga 7 deri më 9 janar 2026 u zhvillua seanca dëgjimore para Komisionit të Pavarur Rregullator, i cili e shpalli fajtor dhe i shqiptoi një pezullim katërvjeçar. Më pas, Mudryk paraqiti ankesë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Që atëherë janë bërë ndryshime në dokumentin teknik të WADA-s (TD2027MRL), të cilat, megjithëse nuk kanë efekt prapaveprues, nënkuptojnë se nëse mostra e Mudrykut do të merrej sot, niveli i meldoniumit nuk do të raportohej dhe nuk do të kishte shkelje të rregullave anti-doping. Duke marrë parasysh këtë zhvillim dhe rrethana të tjera të çështjes, FA dhe Mudryk, me miratimin e WADA-s, kanë arritur marrëveshje për mbylljen e procedurave të apelit. Si pjesë e marrëveshjes, Mudryk pranoi shkeljen dhe periudha e pezullimit u konsiderua e përfunduar me kohën që kishte vuajtur deri në datën e marrëveshjes. Mudryk nuk është më i pezulluar dhe mund të rikthehet menjëherë në gara”.
Edhe Chelsea reagoi me një deklaratë zyrtare: “E dimë se sa shumë do të thotë për të kjo mundësi për t’u rikthyer. Tani fokusi ynë është ta mbështesim Mishan në riintegrimin me skuadrën dhe ta ndihmojmë të rifillojë karrierën. Të gjithë në klub mezi presin ta ndihmojnë të rikthehet në formën e tij më të mirë, në ekip dhe në fushën e lojës”./GazetaExpress/