Pse Uashingtoni duhet ta rishqyrtojë rolin e vet të sigurisë në Gjirin Persik - Gazeta Express
string(77) "pse-uashingtoni-duhet-ta-rishqyrtoje-rolin-e-vet-te-sigurise-ne-gjirin-persik"

Lajme

Gazeta Express

31/07/2026 15:10

Pse Uashingtoni duhet ta rishqyrtojë rolin e vet të sigurisë në Gjirin Persik

Lajme

Gazeta Express

31/07/2026 15:10

Sulmet më të fundit të Iranit me raketa kundër forcave dhe bazave ushtarake amerikane në rajon kanë nxjerrë në pah tensionet në rritje në partneritetin disadekadësh të sigurisë mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Gjirit, sipas Allison Minor, drejtoreshë e Projektit për Integrimin e Lindjes së Mesme në Këshillit e Atlantikut.

Minor është po ashtu ish-drejtoreshë për çështjet e Gadishullit Arabik në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, Donald Trump.

Në një analizë rishtazi të Këshillit të Atlantikut, të cilën e përgatiti së bashku me Alina Romanowski, ish-ambasadore e SHBA-së në Kuvajt dhe Irak, Minor argumentoi se Uashingtoni dhe partnerët e tij në Gjirin Persik duhet të largohen nga modeli i garancisë së sigurisë së SHBA-së dhe të orientohen drejt integrimit rajonal dhe partneriteteve më të forta.

Radio Evropa e Lirë bisedoi me Minorin për arsyet pse ajo beson se modeli tradicional amerikan i sigurisë në Gjirin Persik nuk është më i qëndrueshëm dhe çfarë duhet ta zëvendësojë atë.

Radio Evropa e Lirë: Irani ka kryer sulme ndaj forcave dhe bazave amerikane në rajon. Çfarë tregon ky moment për dobësitë e pozicionit aktual të sigurisë së SHBA-së në rajon?

Allison Minor: Kjo valë e fundit e sulmeve vetëm sa e thekson situatën shumë të vështirë në të cilën janë gjendur Shtetet e Bashkuara, me një spirale përshkallëzimi nga e cila është jashtëzakonisht e vështirë të dilet. Regjimi iranian po e bën të qartë se do ta përfundojë këtë konflikt sipas kushteve të veta dhe se nuk ka frikë nga vazhdimi i përballjes me SHBA-në.

Kthimi te një formë shtensionimi, një armëpushim dhe një marrëveshje e re për Ngushticën e Hormuzit do të jetë jashtëzakonisht i vështirë në këto rrethana.

Radio Evropa e Lirë: Në artikullin tuaj argumentoni se kjo është një pikë kthese për partneritetin e sigurisë mes SHBA-së dhe vendeve të Gjirit. Pse këto sulme të fundit e bëjnë të domosdoshëm një ndryshim tani?

Allison Minor: Tensionet në partneritetin e sigurisë mes SHBA-së dhe vendeve të Gjirit janë të kamotshme. Ka ekzistuar një ndjenjë mbizotëruese se ideja e garancisë së sigurisë nga SHBA-ja – ajo që njihet si Doktrina Carter (premtimi i presidentit Jimmy Carter në vitin 1980 për të përdorur forcën ushtarake amerikane për të mbrojtur interesat jetike të SHBA-së në Gjirin Persik), e cila ka qenë në fuqi për dekada dhe ishte supozimi kryesor në rajon pas Luftës së Gjirit – ka filluar të zbehet.

Kam argumentuar se SHBA-ja duhet ta përqafojë vërtet idenë e kalimit nga një garantuese e sigurisë në një integruese.

Për partnerët në Gjirin Persik është bërë e qartë se SHBA-ja ose nuk ka interes të përmbushë atë angazhim, ose nuk është më në gjendje ta bëjë këtë. Edhe shumë njerëz në Uashington po e vënë në pikëpyetje nëse kjo është qasja e duhur.

Lufta me Iranin vetëm sa i ka ekspozuar tensionet që lidhen me supozimin se SHBA-ja garanton sigurinë në Gjirin Persik. Partnerët e Gjirit u ndjenë të zhgënjyer me Uashingtonin. Ata nuk u konsultuan para shpërthimit të kësaj lufte, e cila i vendosi ata në vijën e parë dhe i ekspozoi ndaj sulmeve të papara.

Radio Evropa e Lirë: Për dekada, bazat e mëdha ushtarake amerikane kanë qenë themeli i fuqisë amerikane në Gjirin Persik. Nëse modeli tradicional i sigurisë nuk është më i mjaftueshëm, çfarë duhet ta zëvendësojë atë?

Allison Minor: Duhet të fillojmë me pyetjen se cili duhet të jetë roli i SHBA-së. Në një analizë të fundit kam argumentuar se SHBA-ja duhet ta përqafojë këtë ide, për të cilën flitet prej vitesh: kalimin nga një garantuese e sigurisë në një integruese.

Ideja është që SHBA-ja të mos jetë më ajo që garanton në mënyrë të pavarur sigurinë e vendeve të Gjirit. Ajo mund të jetë një partnere. Mund të bashkëpunojë me këto vende për t’i ndihmuar të ndërtojnë mbrojtje ndaj kërcënimeve të jashtme dhe të punojë me to për të adresuar paqëndrueshmërinë më të gjerë rajonale.

Por, nuk duhet të jetë SHBA-ja që ndërhyn e vetme dhe udhëheq një fushatë ushtarake, siç bëri gjatë luftës me Iranin, e sidomos jo pa konsultimin e partnerëve kryesorë në rajon, siç ndodhi në këtë luftë.

Nëse fillojmë me një diskutim për atë se si duhet të duket roli i ri i SHBA-së në rajon, atëherë përgjigjja për mënyrën se si duhet të organizohen bazat ushtarake amerikane do të vijë më natyrshëm.

Radio Evropa e Lirë: A duhet atëherë SHBA-ja të largohet nga roli i garantueses kryesore të sigurisë në rajon dhe të bëhet më shumë një partnere që ndihmon vendet e Gjirit të ndërtojnë kapacitetet e tyre? A është ky qëndrimi juaj?

Allison Minor: Pikërisht. Vendet e Gjirit e kuptojnë tashmë se nuk mund të mbështeten te SHBA-ja për të garantuar sigurinë e tyre. Kjo është bërë shumë e qartë. SHBA-ja ka dëshmuar se nuk është në gjendje t’u përgjigjet kërcënimeve iraniane ndaj Gjirit, qoftë përmes veprimeve ushtarake apo negociatave. Prandaj, ideja e SHBA-së si garantuese e sigurisë në Gjirin Persik tashmë ka marrë fund.

Radio Evropa e Lirë: Si mund t’i sigurojë Uashingtoni partnerët e Gjirit, duke shmangur njëkohësisht përfshirje më të thellë ushtarake në një konflikt që mund të zgjerohet edhe më tej?

Allison Minor: Ekziston sfida e menjëhershme se si SHBA-ja mund t’i sigurojë partnerët e Gjirit ndërsa konflikti me Iranin vazhdon.

Kjo duhet të zgjidhet së pari. SHBA-ja duhet të rikthehet te një armëpushim më i qëndrueshëm me Iranin, përmes një marrëveshje e cila do ta adresojë edhe sfidën e Ngushticës së Hormuzit dhe përpjekjet e Iranit për ta kontrolluar atë, gjë që në thelb i jep Teheranit një lak rreth qafës së ekonomive të vendeve të Gjirit. Kjo duhet të trajtohet fillimisht.

Radio Evropa e Lirë: Zyrtarë amerikanë dhe të tjerë kanë theksuar nevojën për kapacitete më të forta rajonale. Ju gjithashtu keni shërbyer në Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë mandatit të parë të Trumpit. A është kjo një ide krejtësisht e re? A duhet që përparësi t’i jepet mbrojtjes së integruar kundërraketore, shkëmbimit të inteligjencës, qëndrueshmërisë kibernetike, sigurisë detare apo ndonjë gjeje tjetër?

Allison Minor: Nuk është aspak ide e re. Ideja që SHBA-ja të kalojë nga garantuese në integruese në Gjirin Persik është diskutuar jo vetëm gjatë administratës së parë Trump, por edhe më herët.

Madje, ajo është përfshirë zyrtarisht në planin operacional të CENTCOM-it të vitit 2023. Pra, nuk është çështje nëse duhet ta përqafojmë këtë ide, por si ta zbatojmë atë në praktikë dhe të ndryshojmë mënyrën se si SHBA-ja vepron në rajon.

Radio Evropa e Lirë: Kemi parë gjithashtu Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe që kërkojnë gjithnjë e më shumë pavarësi strategjike. Çfarë roli duhet të luajnë këto fuqi të Gjirit në udhëheqjen e sigurisë rajonale në të ardhmen?

Allison Minor: Ato duhet të luajnë një rol më të madh. Megjithatë, duhet të jemi të qartë se ekzistojnë ndarje shumë të rëndësishme mes vendeve të Gjirit. Sidomos tani po shohim një përçarje mes Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, ndërsa të dyja synojnë të fitojnë nivele të ndryshme të udhëheqjes rajonale.

Nuk është ende koha për një arkitekturë plotësisht të unifikuar të sigurisë në Gjirin Persik, dhe pikërisht për këtë arsye roli i SHBA-së mbetet shumë i vlefshëm.

Radio Evropa e Lirë: Përtej bashkëpunimit ushtarak, çfarë ndryshimesh diplomatike apo politike nevojiten për të krijuar një arkitekturë sigurie më të qëndrueshme ndaj Iranit në Gjirin Persik?

Allison Minor: Derisa të përfundojë lufta me Iranin, e gjithë kjo do të jetë shumë e vështirë. Mjedisi është jashtëzakonisht i ndërlikuar. Të gjithë aktorët, qoftë në Evropë apo në Gjirin Persik, hezitojnë të përfshihen në fushatën e udhëhequr nga SHBA-ja kundër Iranit.

Hapi i parë është përfundimi i luftës me Iranin. Pastaj duhet të zhvillohet ky dialog me partnerët për të parë se ku janë mundësitë, si mund të rindërtojmë një politikë të përbashkët përballë kërcënimeve rajonale dhe si mund të krijojmë sërish një konsensus me partnerët tanë për këtë çështje kaq të rëndësishme.

Radio Evropa e Lirë: Si do të dukej suksesi nëse SHBA-ja dhe aleatët e saj arrijnë të krijojnë një pozicion dhe një arkitekturë të re sigurie në rajon? Si do ta dinim, pas tre deri në pesë vjetësh, se ky rikonfigurim i marrëdhënieve të sigurisë mes SHBA-së dhe vendeve të Gjirit ka funksionuar?

Allison Minor: Është një pyetje shumë e mirë. Shenjat e para të suksesit do të ishin ulja e tensioneve mes Uashingtonit dhe kryeqyteteve të vendeve të Gjirit, sepse do të ekzistonte një mirëkuptim i përbashkët për mënyrën se si duhet të funksionojë kjo marrëdhënie dhe ndjenja se të dyja palët po i përmbushin angazhimet e tyre.

Në afat të gjatë, qëllimi kryesor i partneriteteve të tilla të sigurisë është parandalimi.

Ato synojnë të krijojnë një nivel paqeje dhe stabiliteti të tillë që kundërshtarët e mundshëm, rivalët apo aktorët joshtetërorë të besojnë se kjo arkitekturë sigurie është aq e fortë sa nuk ia vlen ta sfidojnë.

Nëse arrijmë të ndërtojmë një arkitekturë më të fortë, të integruar të sigurisë në Gjirin Persik, të mbështetur nga SHBA-ja, nga partnerë të besueshëm në Evropë dhe më gjerë, dhe që shihet si mjaftueshëm e fuqishme, elastike dhe e larmishme, atëherë aktorë të ndryshëm – qoftë një regjim i ardhshëm iranian apo aktorë joshtetërorë si huthët – do ta konsiderojnë atë aq të fortë sa nuk do të duan as të përballen me të./REL/

Advertisement
Advertisement
Advertisement