Ndërsa Mali i Zi i afrohet anëtarësimit në Bashkimin Evropian, institucionet e BE-së po fillojnë përgatitjet praktike për futjen e gjuhës malazeze si gjuha e 25-të zyrtare e Unionit.
Shërbimi ligjor i Këshillit të BE-së po kërkon asistentë për të punuar në hartimin e traktatit të pranimit të Malit të Zi në BE dhe përkthimin e legjislacionit evropian, raporton Politico.
“Po hapen mundësitë e para për qytetarët malazezë për të ndërtuar karriera në institucionet e BE-së”, tha Ministrja Malazeze për Çështjet Evropiane Maida Gorčević.
Mali i Zi deri më tani ka mbyllur gjysmën e kapitujve të negociatave dhe qëllimi i Podgoricës është të bëhet anëtare e BE-së deri në vitin 2028. Pas anëtarësimit, gjuha malazeze do të përfshihet midis gjuhëve zyrtare të Unionit.
Sipas një diplomati të përfshirë në negociata, dokumentet e BE-së në gjuhën malazeze do të përdorin alfabetin latin, i cili përdoret më shpesh në Mal të Zi sesa cirilik.
Edhe pse gjuha malazeze është shumë e ngjashme me serbishten, kroatishten dhe boshnjakishten, BE-ja do të duhet të punësojë përkthyes dhe interpretues shtesë. Profesori i gjuhësisë Igor Lakić beson se angazhimi i tyre është gjithashtu i nevojshëm për shkak të specifikave politike, ekonomike dhe të tjera që përkthyesit duhet të përcjellin saktë.
Futja e një gjuhe të re zyrtare do të nënkuptonte kosto shtesë për BE-në, e cila tashmë ndan rreth një miliard euro çdo vit për përkthimin e legjislacionit të saj në 24 gjuhë zyrtare.
Zbuloni si ndërtohet cilësia përmes mbi 1.000 kontrolleve, testimeve të pavarura dhe respektimit të standardeve strikte të Bashkimit Evropian.*...