Marquinhos e shpjegoi pse e përqafoi Gabrielin, pas penalltisë së humbur në finale - Gazeta Express
string(81) "marquinhos-e-shpjegoi-pse-e-perqafoi-gabrielin-pas-penalltise-se-humbur-ne-finale"

Futboll

Gazeta Express

01/06/2026 23:20

Marquinhos e shpjegoi pse e përqafoi Gabrielin, pas penalltisë së humbur në finale

Futboll

Gazeta Express

01/06/2026 23:20

Kapiteni i Paris Saint-Germainit, Marquinhos, ka treguar arsyen pse vendosi të ngushëllonte Gabriel Magalhãesin pas penalltisë së humbur nga mbrojtësi i Arsenalit në finalen e Ligës së Kampionëve.

Menjëherë pas fitores së PSG-së ndaj Arsenalit në serinë e penalltive në stadiumin “Puskás Arena” të Budapestit, emocionet ishin krejtësisht të kundërta në të dy kampet.

Teksa lojtarët e PSG-së vrapuan për të festuar triumfin e tyre të dytë radhazi në Evropë, Marquinhos zgjodhi një rrugë tjetër.

Kapiteni brazilian shkoi direkt te Gabriel Magalhães, i cili ishte i dëshpëruar pasi penalltia e tij kishte përfunduar mbi traversë, duke i dhuruar trofeun skuadrës franceze.

Gjesti i tij u vlerësua edhe nga kapiteni i Arsenalit, Martin Ødegaardi.

“Ai është një zotëri i vërtetë. Ndoshta lojtari më me përvojë në fushë dhe ka kaluar momente të tilla nga të dyja anët. Respekt i madh për atë gjest dhe për personin e lojtarin që është”, deklaroi Ødegaard.

Duke folur pas ceremonisë së trofeut, Marquinhos zbuloi se reagimi i tij erdhi nga përvoja personale.

32-vjeçari kujtoi penalltinë e humbur me Brazilin në çerekfinalen e Kupës së Botës 2022 kundër Kroacisë, kur kombëtarja e tij u eliminua.

“Sapo ai humbi penalltinë, m’u kujtua se si isha ndier unë kur humba kundër Kroacisë dhe Brazili u eliminua nga Botërori”, tha Marquinhos.

“Ishte një moment shumë i vështirë për të, me një përgjegjësi të madhe mbi supe. E kam përjetuar vetë dhe e di sa e vështirë është kur ndodh diçka e tillë. Duhet të jesh shumë i fortë për ta kaluar atë moment dhe e di sa e vështirë është. Gabrieli dëshironte shumë ta fitonte këtë trofe dhe e ndiente gjithë atë presion”, tha ai tutje.

Mbrojtësi i PSG-së theksoi se një moment i vetëm nuk duhet të përcaktojë karrierën e një lojtari si Gabrieli.

“I thashë se edhe unë kam kaluar nëpër atë situatë dhe se mund të rikthehet më i fortë. Gabrieli ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm me Arsenalin, ka treguar se është një nga mbrojtësit më të mirë në botë dhe ka dëshmuar vlerat e tij”, shtoi ai.

“Ai nuk e meritonte të mbante mbi supe gjithë peshën e asaj humbjeje. Prandaj desha të shkëputesha për disa minuta nga festimet e mia, t’i kushtoja pak kohë atij, ta përqafoja dhe t’i uroja më të mirat”, përfundoi Marquinhos./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement