Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ferat Shala, ka bërë të ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë ka vërtetuar pjesërisht kërkesëpadinë e tij ndaj Avni Zogiani, lidhur me një publikim në rrjetin social Facebook.
Sipas Shalës, me aktgjykimin e datës 21 maj 2026, gjykata ka konstatuar se publikimi i bërë ndaj tij ka shkaktuar dëm jo-material përmes shpifjes dhe njollosjes publike.
“Sot, Gjykata Themelore në Prishtinë vërtetoi atë që kam thënë prej fillimit: shpifja dhe njollosja publike nuk mund të kalojnë pa përgjegjësi. Me aktgjykimin e datës 21.05.2026, gjykata e aprovoi pjesërisht kërkesëpadinë time ndaj Avni Zogianit, duke konstatuar se publikimi i bërë ndaj meje në Facebook ka shkaktuar dëm jo-material përmes shpifjes. Për mua, kjo nuk është çështje hakmarrjeje personale. Është një mesazh se askush nuk duhet të lejojë që reputacioni, familja dhe puna e tij të sulmohen me të pavërteta për interesa politike apo personale. Falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur dhe kanë besuar në të vërtetën”, ka shkruar Shala.