Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka akuzuar Qeverinë e Kosovës që ka braktisur integrimin kombëtar me Shqipërinë.
Hoti i cili është kandidat i LDK-së për deputet në zgjedhjet e 7 Qershorit, tha se prej tre vitesh nuk është mbajtur asnjë mbledhje e përbashkët mes qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, duke vlerësuar se kjo ka ndikuar negativisht në avancimin e bashkëpunimit ekonomik, arsimor, kulturor dhe shëndetësor ndërmjet dy vendeve.
Sipas tij, potenciali për integrim më të madh mes Kosovës dhe Shqipërisë ka mbetur i pashfrytëzuar për shkak të mungesës së vullnetit politik.
Hoti tha se ka ngecur edhe projekti i përbashkët hidroenergjetik mes dy vendeve, ndërsa kritikoi mungesën e hapave konkretë për krijimin e një tregu të përbashkët në bujqësi dhe për zhvillimin e strategjive të përbashkëta në turizëm, arsim dhe kulturë.
Ai veçoi si dështim mungesën e progresit në projektin e hekurudhës Prishtinë-Durrës, të cilin e cilësoi si një nga projektet më të rëndësishme strategjike për lidhjen e Kosovës me Shqipërinë.
“Pas pesë vitesh qeverisje, nuk ka asgjë konkrete. Nuk është vendosur asnjë metër binar. Projekti vazhdon të mbetet vetëm në deklarata dhe prezantime”, ka shkruar Hoti.