Cristiano Ronaldo mund të jetë duke menduar për një kapitull të ri të papritur në Hollywood pasi të mbyllë karrierën e tij në futboll, sipas raportimeve.
Edhe pse ylli i Al-Nassrit vazhdon të fokusohet te karriera e tij rekordthyese dhe Kupa e Botës 2026, ish-futbollistë që kanë kaluar në aktrim besojnë se ai mund të ketë sukses edhe në ekranin e madh.
Ish-reprezentuesi i Francës, Franck Leboeuf, i cili vetë ka bërë kalimin nga futbolli në film dhe teatër, thotë se Ronaldo ka potencial të madh, por vetëm nëse e trajton aktrimin me të njëjtën disiplinë si futbollin.
“Cristiano Ronaldo do të jetë një aktor i madh nëse bën një gjë siç duhet… duhet të ndjekë kurse aktrimi. Mos mendo që je aktor thjesht kështu. Ai është shembulli perfekt i punës së madhe për t’u bërë një nga më të mirët në futboll, prandaj duhet të punojë njësoj edhe për aktrim,” tha Leboeuf.
Ai theksoi se talenti dhe fama nuk mjaftojnë, dhe se aftësitë si zëri, prezantimi dhe teknika skenike kërkojnë trajnim profesional.
Në këtë kontekst, Leboeuf përmendi edhe ish-lojtarë të tjerë që kanë provuar aktrimin pa përgatitje, si një paralajmërim për Ronaldon.
Ndërkohë, thashethemet për të ardhmen e tij në Hollywood po rriten, sidomos pas sugjerimeve të aktorit Vin Diesel, i cili la të kuptohet se Ronaldo mund të shfaqet në pjesën e fundit të sagës “Fast”.
Raportohet se Ronaldo është i hapur ndaj idesë së aktrimit dhe ka shprehur më parë interes për projekte të tilla, duke sugjeruar se pas futbollit mund të ndërtojë një karrierë të re në industrinë e argëtimit./GazetaExpress/