Qendra Kulturore Shqiptare në Reutlingen të Gjermanisë ka njoftuar organizimin e edicionit të radhës të turnirit tradicional sportiv, një aktivitet që prej vitesh mbledh bashkatdhetarët në një atmosferë sportive, festive dhe miqësore.
Sipas organizatorëve, turniri do të mbahet më 21 qershor 2026 në adresën Zittelstatt 1, 72574 Bad Urach, ndërsa pjesëmarrja për çdo skuadër kushton 150 euro.

Ky aktivitet tashmë është shndërruar në një traditë të rëndësishme për komunitetin shqiptar në Gjermani, duke ofruar mundësi për takime, socializim dhe forcim të lidhjeve mes bashkatdhetarëve përmes sportit dhe aktiviteteve kulturore.
Organizatorët kanë bërë thirrje që skuadrat e interesuara të paraqiten pranë Qendrës Kulturore Shqiptare në Reutlingen, duke ftuar të rinjtë, sportdashësit dhe të gjithë të interesuarit që të bëhen pjesë e këtij organizimi.
Përveç garave sportive, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të shijojnë ushqime tradicionale shqiptare, muzikë dhe një atmosferë festive, që synon ta bëjë këtë ditë sa më të veçantë për të gjithë të pranishmit.
Kryetari i Qendrës Kulturore Shqiptare në Reutlingen, Arton Preniqi, ka shprehur mirëseardhjen për të gjithë bashkatdhetarët, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së traditave dhe forcimit të unitetit brenda komunitetit shqiptar në diasporë.
Për informata shtesë dhe regjistrimin e skuadrave, të interesuarit mund të kontaktoni në faqën e Qendrës Kulturore Shqiptare në Reutlingen.
Organizatorët presin që edhe këtë vit turniri të mbledhë një numër të madh pjesëmarrësish dhe të shërbejë si një festë e sportit, kulturës dhe bashkimit të komunitetit shqiptar në Gjermani.
Nr. kontaktues:
Gazmend Salihu – +49 174 5261799
Bahri Qyqalla – +49 172 7657237