Mbrojtësi i Liverpoolit, Ibrahima Konaté, do të largohet nga klubi këtë verë si lojtar i lirë, në një kthesë të papritur të ngjarjeve.
Dukej se reprezentuesi francez do ta rinovonte kontratën e tij në “Anfield” pas muajsh negociatash, por marrëveshja nuk u finalizua para verës.
Në prill, gjithçka dukej pothuajse e mbyllur për qëndrimin e Konatés te Liverpooli, pasi palët ishin pranë një marrëveshjeje.
Megjithatë, gjashtë javë më vonë, Liverpooli ka njoftuar se Konaté do të largohet si lojtar i lirë në fund të kontratës së tij këtë verë, duke u bërë një mundësi e artë në treg për klubet më të mëdha të Europës.
Që në nëntor, Real Madridi i kishte komunikuar Liverpoolit se nuk ishte më i interesuar për një transferim të Konatés.
Sipas “Diario AS”, kjo ndodhi pas muajsh bisedimesh me përfaqësuesit e lojtarit, por në momentin kur “Los Blancos” po planifikonin të intensifikonin negociatat, Konaté pësoi një rënie të ndjeshme në formë, gjë që i bëri madrilenët të tërhiqeshin. Megjithatë, tani ata po e shqyrtojnë sërish mundësinë e transferimit të tij.
Real Madridi e ka bërë zakon rekrutimin e lojtarëve me parametra zero gjatë gjashtë viteve të fundit, dhe Konaté do t’i përshtatej kësaj politike transferimesh.
Klubi synon të afrojë një ose dy qendërmbrojtës këtë verë, por edhe Bayern Munichu dhe Chelsea po shqyrtojnë oferta për francezin, ndërsa ka gjithashtu interes nga Serie A.
Raporti shton se, pavarësisht interesimit, Jose Mourinho, i cili pritet të prezantohet si trajneri i ri brenda dy javësh, do të ketë fjalën e fundit për transferimin e Konatés.
Përveç interesimit nga klubet më të mëdha europiane, “FootMercato” raporton se Al-Ittihadi është i gatshëm t’i ofrojë një kontratë shumë fitimprurëse këtë verë.
Klubi saudit e sheh atë si një objektiv prioritar, por natyrisht do t’i duhet të mposhtë konkurrencën e fortë nga klubet europiane për ta bindur Konatén të largohet nga futbolli europian./GazetaExpress/