Mësime nga njerëz të mirë për kohët e liga - Gazeta Express
string(42) "mesime-nga-njerez-te-mire-per-kohet-e-liga"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

29/05/2026 9:59

Mësime nga njerëz të mirë për kohët e liga

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

29/05/2026 9:59

Shkruan: Ndue Ukaj

Në kohë të liga, kur asgjë nuk duket normale, mësimet më të mira për të dalë prej kësaj amullie mund t’i marrim prej njerëzve të mirë. Në këtë aspekt, historia jonë politike nuk ka shumë figura shembullmira, prej të cilave mund të mësojë dhe kjo lidhet me trashëgimitë negative nëpër të cilat kemi kaluar.

Fatkeqësisht, historia jonë politike, siç është thënë prej shumë rilindasëve e njerëzve të ditur është e mbushur me tradhti, kusarë, zuzarë e rriqna, që kombit shqiptarë i kanë shkaktuar dëme të mëdha, duke e lënë në mjerim.

Se, mos zhvillimi i një vendi është krimi më i madh që mund t’i bëhet atij. Mos zhvillimi e bën fragjil ndaj ideve të këqija dhe forcave destruktive, të cialt më së miri jetojnë kur ka kriza.

Në historinë tonë, nëse kërkojmë nëpër shekuj, shndrit si asnjë tjetër, figura shumëdimensionale e Ibrahim Rugovës, jo vetëm për faktin se projekti i tij intelektual u realizua në përpikëri, por parasegjithash për faktin se ai qe atipik në të gjitha pikëpamjet: qe një shqiptar i madh e europian i klasit të lartë, shpirt tolerant, i hapur për t’i zgjeruar kapacitetet e të menduarit, i gatshëm për të marrë pjesë me dinjitet në çdo metropol, njeri i vërtetë që nuk kukuriste ide të cilave nuk iu besonte, politikan intelektual që nuk bënte demagogji, por fliste me zemër, për njeriun në qendër të aktivitet të tij. Pra, thjesht ai besonte në një shtet që vihet në shërbim të njeriut dhe jo një shtet në të cilin njeriu shndërrohet në instrument të shtetit.

Meritat e Rugovës në fushën e politikës e të mendimit janë të njohura në rrafshin universal. Ishte ai që ia doli Kosovën e vogël dhe të mjerë, ta bënte çështje të botës së përparuar, duke e vendosur vendin e vogël në hartën e madhe të botës.

Rugova, në një intervistë të vitit 1991, për gazetën “Ora”, ka folur për njërën prej sfidave më të mëdha të politikës shqiptare, demagogjinë, dhe fjalët e tij të para tri dekadave tingëllojnë ai të ishin thënë sot:

“Ne me kombin dhe me çështjen kombëtare nuk duhet të bëjmë demagogji, siç bënin komunistët: kur u duhej kombi, e thërrisnin, nuk u duhej e shkatërronin. Çdo parti dhe çdo individ duhet ta dijë se cili është interesi kombëtar, dhe jo ta denigrojë palën, individin, partinë tjetër në emër të interesit kombëtar, por të kontribuojë për interesin kombëtar, të shfaqë idenë rreth këtij interesi dhe të angazhohet konkretisht për të.”

Dhe që historia të mos përsëritet, ai këshillonte që politika të nxirrte mësim nga ajo. Ja çka thoshte ai për komunizmin:

“Komunizmi nuk i krijoi vend konceptit të kombit, i cili ishte ndjerë si negacion i historisë. Ai ishte i mbështetur mbi një ide fiktive, primitive të barazisë, që e mohon historinë. Shefat si – Tito, Mao, Hoxha, Lenini…-pastaj fabrikuan historinë e vet. Prandaj njëri nga qëllimet e para të komunizmit ishte që të qëllonte intelektualët.”

Fatkeqësisht, në Kosovë, ka vite prej kur qeverisë pushteti i demagogjisë dhe ideve primitive.

Demagogjisë i është ngritur monument i lartë blatimi, ku njerëzit shkojnë e përulen për të dëshmuar besnikëri të verbët. 

Qeverisjes demagogjike, kur i duhet patriotizmi, e thërret me britma e buri, kur nuk i  duhet, e shkatërron, prandaj, nevoja për ta mundë këtë mendësi është një prej testeve më serioze që shoqëria jonë sot ka përpara vetes.

Ky është testi më i madh i pas luftës. Sepse, kjo dergjë politike është duke e gërryer përditë shëndetin e këtij vendi.

Ka vite që kur është shkatërruar politikën si aktivitet i njerëzve të lirë në këmbim të një gjuhe të gërditshme politike, me limite të mëdha, që tregojnë qartësisht limite edhe në intelekt.

Demagogjia bën emetimin të ideve të këqija, gazrave mendor, dhe këtë e mirëmban fuqishëm propaganda shtetërore, që ka shkelë me dy këmbë mbi kulturën demokratike dhe parimet e demokracisë.

Ky pushtet i demagogjisë e ka shëmtuar fizionominë e vendit tonë, prandaj bota përreth nesh nuk na sheh si vend normal, nuk na njeh, nuk na kupton, na sheh si një vend pa kurrfarë vullneti për t’u zhvilluar e për të ecë krahë për krahu me vendet e civilizuara.  

Zhvillimi nuk bëhet me demagogji, duke emetuar azot nga gjuha, që e prish krejt mjedisin etik e social.

Zhvillimi nuk bëhet me arrogancë e ide të varfra, që valëviten si punë të mëdha, por me ide kreative, solidaritet, me partnerë, me kulturë të lartë qeverisje, vlera këto të rralluara aq shumë mes nesh sa mezi duken.

Pra, fatkeqësia më e madhe që i bie hise një vendi është kur ajo qeveriset prej demagogëve, prej atyre që flasin me afsh për tema të mëdha e bëjnë punë të vogla sa as me mikroskop nuk duken në fizionominë e një vendi.

Pushtetet e tilla, numërojnë me epsh veç suksese dhe i eksitojnë turmat me propagandë për parajsë, por dihet, prapa lënë mjerim, siç tregon historia.

Kjo mendësi qeverisëse, nuk ka lidhje me zhvillim, me demokraci e vlera perëndimore, por që ka një përkim të qartë, me mendësitë autoritare e jo perëndimore. Duke u qeverisë prej demagogëve, përmes armës më të fortë që njeh njerëzimi, propagandës, vendi ynë duket në një paralizë totale.

Vendi ynë, duhet ta kalojë këtë test ekzistencial: të çlirohet prej pushtetit të demagogjisë e ideve primitive dhe të kthehet në normalitet.

Advertisement
Advertisement
Advertisement