Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka folur hapur për planet e klubit katalanas në prag të afatit kalimtar të verës, duke konfirmuar se drejtuesit Blaugrana janë duke punuar paralelisht në disa operacione për ta përforcuar skuadrën e Hansi Flick, shkruan “barcablaugranes”, përcjell “Gazeta Express”.
Ish-mesfushori portugez e pranoi se Barcelona i ka nisur tashmë kontaktet e para me disa lojtarë dhe manaxherë, edhe pse negociatat zyrtare me klubet respektive nuk kanë hyrë ende në fazën përfundimtare.
“Po punojmë. Do t’i afrojmë disa lojtarë. Jemi të interesuar për profile të ndryshme dhe kontaktet e para tashmë janë vendosur”, deklaroi Deco gjatë kthimit të tij në Barcelonë pas një udhëtimi në Londër.
Sipas mediave spanjolle dhe angleze, një nga emrat që pëlqehet shumë nga Barcelona është Joao Pedro.
Sulmuesi brazilian shihet si një alternativë ideale për të ardhmen e repartit ofanziv, sidomos duke e pasur parasysh se Robert Lewandowski do të largohet nga Katalunia.
Megjithatë, operacioni mbetet i komplikuar. Joao Pedro u transferua te Chelsea vetëm një vit më parë dhe klubi londinez nuk e konsideron të lehtë largimin e tij.
Gjithsesi, sezoni i paqëndrueshëm i Chelseat dhe fakti që sulmuesi mbeti jashtë listës së Brazilit për Kupën e Botës 2026 i kanë shtuar spekulimet për një largim të mundshëm.
Një tjetër objektiv i madh i Barcelonës mbetet Julian Alvarez.
Sulmuesi argjentinas pëlqehet shumë nga Deco dhe nga Hansi Flick, por çmimi i vendosur nga Atletico Madridi konsiderohet pothuajse i paarritshëm për momentin.
Sipas raportimeve, klubi madrilen ikërkon rreth 150 milionë euro për kartonin e kampionit të botës.
Për më tepër, në garë për të është edhe Paris Saint-Germaini.
Deco e ka bërë të qartë se prioriteti kryesor i Barcelonës mbetet përforcimi i repartit ofanziv.
Drejtori sportiv beson se skuadra është e balancuar në mbrojtje dhe në mesfushë, ndërsa sulmi është reparti ku mund të nevojitet një ose dy afrime të rëndësishme.
Përveç sulmuesit qendror, Barcelona po monitoron edhe profile për krahun e majtë ofanziv.
Emra si Luis Diaz dhe Nico Williams janë përmendur vazhdimisht në mediat spanjolle si objektiva të mundshëm për verën.
Gjithsesi, çdo lëvizje e Barcelonës do të kushtëzohet nga situata financiare e klubit dhe rregullat e “Fair Play” Financiar.
Për këtë arsye, drejtuesit katalanas po punojnë paralelisht edhe për shitjen e disa futbollistëve, në mënyrë që të krijojnë hapësira në buxhet për afrimet e reja. /Gazeta Express