Gjyqtari Genc Nuza ka dorëzuar zyrtarisht kërkesë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përkatësisht te Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive, duke kërkuar shqyrtimin e masave ndëshkimore ndaj FC Ferizajt dhe presidentit të klubit, Lulzim Abazi.
Përmes një reagimi publik, Nuza ka bërë të ditur se kërkesa lidhet me veprimet dhe deklaratat që, sipas tij, kanë ndikuar në krijimin e një klime armiqësore dhe denigruese ndaj tij.
Ai ka theksuar se këto veprime kanë cenuar integritetin e tij personal dhe profesional, por edhe qetësinë dhe dinjitetin e familjes së tij.
Nuza e ka cilësuar këtë hap si veprimin e parë ligjor në drejtim të mbrojtjes së dinjitetit, pavarësisë dhe sigurisë së gjyqtarëve sportivë në Kosovë.
Gjyqtari kosovar ka paralajmëruar gjithashtu se në ditët në vijim pritet të ngrejë padi në gjykatat kompetente për, siç i ka quajtur ai, deklaratat shpifëse dhe pretendimet e bëra publikisht ndaj tij.
Rasti pritet të trajtohet nga institucionet përkatëse, ndërsa mbetet të shihet nëse ndaj FC Ferizajt dhe presidentit Lulzim Abazi do të ndërmerren masa ndëshkimore. /GazetaExpress/