“Agjendë kineze në Qeveri”, LSDM sulmon Stoilkoviqin - Gazeta Express
string(49) "agjende-kineze-ne-qeveri-lsdm-sulmon-stoilkoviqin"

Maqedoni

Gazeta Express

26/05/2026 15:42

“Agjendë kineze në Qeveri”, LSDM sulmon Stoilkoviqin

Maqedoni

Gazeta Express

26/05/2026 15:42

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka akuzuar zëvendëskryeministrin Ivan Stoilkoviq se po vepron në kundërshtim me orientimin strategjik evropian të vendit, duke promovuar bashkëpunimin me Kinën dhe duke ndjekur, sipas partisë opozitare, interesa që nuk përputhen me prioritetet euroatlantike të Maqedonisë së Veriut, përcjell gazeta KOHA. Në një reagim publik, LSDM thekson se paralajmërimet e saj të muajve të fundit po vërtetohen përmes deklaratave të fundit të Stoilkoviqit në një intervistë për televizionin shtetëror kinez CGTN, ku ai ka deklaruar se “bashkëpunimi me Kinën nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri”.

“Siç kemi paralajmëruar prej muajsh, zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq, bashkëpunëtori më i afërt i Mickoskit dhe njeriu i dytë në qeveri, po punon hapur për interesa që janë në kundërshtim me të ardhmen evropiane të Maqedonisë. Tani, në një intervistë për televizionin shtetëror kinez, Stoilkoviq bën thirrje për ‘bashkëpunim me Kinën që nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri’”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Partia opozitare shkon edhe më tej në akuzat e saj, duke pretenduar se Stoilkoviqi prej vitesh ka bashkëpunuar me shërbimet serbe dhe ka përfaqësuar interesa ruse, ndërsa tani, sipas LSDM-së, po promovon edhe agjendën kineze. “Njeriu që prej vitesh bashkëpunon me BIA-n serbe dhe përfaqëson interesat ruse, tani po punon edhe për agjendën kineze”, theksohet në reagim. Sipas LSDM-së, intervista e dhënë për median kineze nuk po promovohet në opinionin vendor për shkak të reagimeve që mund të shkaktojë te qytetarët.

“Intervista po fshihet nga opinioni maqedonas, sepse e dinë se qytetarët nuk do ta pranojnë atë”, vlerëson partia.

Në deklaratë, LSDM i referohet edhe dokumentit më të ri strategjik të Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se ai përcakton qartë si prioritete luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe shmangien e bashkëpunimit me Kinën dhe Rusinë. “Ndërkohë që dokumenti i ri strategjik i Departamentit të Shtetit thekson qartë tri prioritete – luftën kundër krimit, luftën kundër korrupsionit dhe mungesën e bashkëpunimit me Kinën dhe Rusinë – Stoilkoviqi udhëton në Kinë me delegacionin e SNS-së së Vuçiqit, sikur të ishte pjesë e tij”, thuhet në reagim.

Sipas LSDM-së, këto zhvillime nuk janë të rastësishme, por përfaqësojnë një orientim të vetëdijshëm politik të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe qeverisë së tij.

“Kjo nuk është rastësi. Kjo është politikë e vetëdijshme e Mickoskit dhe grupit të tij kriminal – ta mbajnë Maqedoninë të izoluar nga Evropa dhe ta lidhin me regjime autoritare dhe fuqi lindore”, deklaron partia opozitare. Në fund të reagimit, LSDM thekson se qytetarët meritojnë një perspektivë të qartë evropiane dhe kërkon përshpejtimin e reformave dhe përfshirjen e pakicave në Kushtetutë. “Qytetarët meritojnë të ardhme evropiane, e jo të jenë peng i interesave të huaja. Reforma tani. Pakicat në Kushtetutë tani”, përfundon reagimi i LSDM-së.

Advertisement
Advertisement
Advertisement