Fatmir Limaj, dikur njëri nga figurat më të fuqishme të skenës politike, nga sot do t’i përvjelë mëngët për ta mbështetur, në zgjedhjet e 7 qershorit, Partinë Demokratike të Kosovës, pjesë e së cilës ishte deri në vitin 2014.
Kjo çështje është zyrtarizuar në një takim ndërmjet kreut të PDK-së, Bedri Hamza, dhe Fatmir Limajt, që është mbajtur sot gjatë ditës.
Hamza ka konfirmuar gjithçka në një postim që sapo e ka publikuar në facebook.
Për të folur ekskluzivisht për detajet e takimit me Bedri Hamzën, Fatmir Limaj sonte do të jetë i ftuar në emisionin “Pressing” të T7, me autor Leonard Kerqukin, nga ora 20:30.
Ditë më parë, Limaj iu kishte drejtuar Hamzës me një letër, ku kishte shfaqur gatishmërinë për ta “shkrirë” Nismën Socialdemokrate në një listë të përbashkët zgjedhore.
“NISMA Socialdemokrate dhe unë, si kryetar i saj, kemi shprehur vazhdimisht, si para këtyre zgjedhjeve, ashtu edhe në vazhdimësi, gatishmërinë për bashkëpunim dhe bashkim politik në funksion të krijimit të një alternative të fuqishme dhe përfaqësuese për qytetarët e Republikës së Kosovës”, kishte shkruar ai.
“Duke besuar në mirëkuptimin, respektin reciprok dhe vullnetin për bashkëpunim, mbetemi të gatshëm për koordinimet dhe hapat e mëtejmë lidhur me këtë proces”, kishte shkruar Limaj në letrën drejtuar kreut të PDK-së më 8 të këtij muaji.
Sidoqoftë, letra nuk e kishte dhënë efektin e dëshiruar për kreun e Nismës.
Tri ditë më vonë, pas një mbledhjeje të kryesisë, Partia Demokratike e Kosovës e kishte marrë vendimin.
Bedri Hamza, në një konferencë për media, tha se Limajn e ka mik dhe se ka punuar gjatë me të, por shtoi se këtë herë ai “nuk do të jetë pjesë e listës së PDK-së”.
“Është diskutuar në Partinë Demokratike të Kosovës. Është qëndrim i përgjithshëm që e presim dhe e mirëpresim kontributin e zotit Limaj, të Nismës Socialdemokrate, që në këto zgjedhje do t’ia japin PDK-së”, tha ai.
Tutje, Hamza tha se e mirëpresin kontributin e ofruar nga kryetari i Nismës Socialdemokrate dhe se është i bindur që kjo përkrahje do ta rrisë PDK-në.
“Në listë do të ketë vajza, gra, djem e burra me shumë vlera. Një pjesë e madhe e tyre do të jenë kandidatë që garojnë për herë të parë për deputet dhe jam i lumtur që ka njerëz të përgatitur që po bashkëngjiten në radhët e PDK-së”, tha Hamza pas një mbledhjeje të Kryesisë së partisë.
Një ditë më vonë, në orën 00:00, PDK e kishte dorëzuar listën e saj me 110 kandidatë, pa emrat e Nismës.
Vendimi kishte nxitur jo pak reagime brenda strukturave të PDK-së. Më së shumti ishte komentuar një fotografi e Limajt me vëllezërit e Hashim Thaçit, duke pirë kafe bashkë.
Partia e udhëhequr prej Limajt, Nisma Socialdemokrate, nuk aplikoi për të marrë pjesë si e vetme në zgjedhjet e reja, pasi, duke garuar në këtë mënyrë në zgjedhjet paraprake të 28 dhjetorit, nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor prej 5%.
Por Limaj, nga sonte, do të jetë pjesë e fushatës, duke e mbështetur Partinë Demokratike të Kosovës, ku dikur ishte njëri nga figurat më të votuara dhe më të fuqishme.
Dakordimi për ta mbështetur PDK-në vjen pas më shumë se një dekade të Fatmir Limajt në skenën politike, në krye të Nismës Socialdemokrate.
Partia Demokratike e Kosovës, në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka arritur të sigurojë 20.19 për qind të votave, apo 22 vende, duke u radhitur e dyta pas LVV-së së Albin Kurtit.
Ndërsa, Nisma ka arritur të sigurojë 1.59%, duke garuar e vetme.
Mbetet të shihet se cili do të jetë efekti i Limajt për PDK-në në zgjedhjet e 7 qershorit.
Pse të presësh, kur mundesh me hy direkt me Fast Lane? Si Sponsor Gjeneral i Sunny Hill Festival, Banka...