Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, ka deklaruar se ai dhe stafi i tij kishin marrë vendimet për skuadrën e Kupës së Botës 2026 që muaj më parë.
Ai publikoi listën prej 26 lojtarësh të “La Roja” për turneun e kësaj vere pa asnjë lojtar të Real Madridit për herë të parë.
“Cilësi, humanitet dhe konkurrencë. Në këto fusha jemi një skuadër shumë e fuqishme. Ka edhe virtyte të tjera, si dhe gjëra që duhen përmirësuar,” u tha ai gazetarëve kur u pyet ta përshkruante skuadrën me tri fjalë. De la Fuente ka deklaruar në disa raste se “La Roja” është ndër favoritët për turneun dhe ka shprehur besim të madh në aftësitë e ekipit.
Mungesa më e madhe për shkak dëmtimi është Fermin Lopezi, i cili humbet turneun për shkak të një frakture në metatarsal, ndërsa mungesa e Dani Carvajalit ishte konfirmuar më herët pasi ai nuk u përfshi në listën paraprake.
Trajneri i Spanjës e përshkroi procesin e përzgjedhjes së skuadrës si “të lodhshëm” dhe tha se fillimisht kishin ndjekur rreth 50-70 lojtarë para se ta ngushtonin listën.
Pjesa më e vështirë, sipas tij, ishin bisedat me lojtarët për t’u shpjeguar se nuk do të shkonin në Kupën e Botës.
“Lista ishte pothuajse e finalizuar prej shumë muajsh, duke pritur vetëm rrethanat e papritura që sjell futbolli. Dua të përmend Fermin Lopezin. Lojtari i fundit në listë… Deri dje në orën 23:30 ishim të ngjitur pas ndeshjes Villarreal – Atletico Madrid. Vetëm atëherë lista përfundimtare u mbyll”, shtoi ai.
Pozita e portierit ka qenë shumë e debatuar, me portierin rezervë afatgjatë Alex Remiro që mbeti jashtë.
De la Fuente u pyet nëse përfshirja e Joan Garcias mund të hapte debat për vendin e titullarit të Unai Simonit, ndërsa trajneri u shpreh i habitur që pyetjet nuk përfshinin edhe David Rayan.
“Kjo është një listë shumë e menduar dhe e analizuar me kujdes. Kemi kaluar muaj duke menduar për të. Kemi portierët më të mirë në botë; kushdo që do të zgjidhej do të ofronte besueshmëri absolute dhe mund të ishte titullar. Kemi tre portierë me cilësi dhe kompetencë të dëshmuar”, u shpreh ai.
Një nga temat kryesore ishte mungesa totale e lojtarëve të Real Madridit, me lojtarë si Eric Garcia i Barcelonës dhe Marc Pubilli i Atletico Madridit që fituan vend përpara Dean Huijsen.
Asnjëri prej tyre nuk kishte qenë pjesë e rregullt e skuadrës së De la Fuentes.
“Eric ka qenë me mua në nivelet U19 dhe U21… E njoh shumë mirë dhe nuk kam asnjë dyshim për të. Për shkak të rrethanave nuk kishte qenë më parë me ne, por ai është një nga tanët. Pubilli nuk ka punuar personalisht me mua, por ka qenë me Santi Denia dhe ne e njohim shumë mirë. Kemi raporte të shkëlqyera për të. Edhe ai është pjesë e kësaj familjeje”, vazhdoi i pari i kombëtares spanjolle.
“Unë jam trajner i kombëtares dhe nuk shikoj se nga cilat klube vijnë lojtarët. Ata janë lojtarë të kombëtares; nuk shikoj një klub apo tjetrin. Nuk kam atë lloj mentaliteti lokalist që mund të ketë një tifoz. E vetmja gjë që dua është që këta futbollistë të ndihen krenarë që përfaqësojnë kombëtaren”, tha ai.
Në skuadër janë një rekord prej tetë lojtarësh të Barcelonës.
“Nuk e di nëse janë tetë – dhe edhe nëse e di, e kam harruar. Ata janë thjesht lojtarë të kombëtares, asgjë më shumë. Gavi është një lojtar shumë i dashur dhe shumë i vlerësuar; ai është ‘lodra’ e ekipit – dhe e them këtë me dashuri. Sa i përket aftësive të tij në fushë, nuk ka nevojë për prezantim – fleksibiliteti i tij… Gavi na sjell pikërisht atë që kërkojmë. Ai është rikthyer dhe do të jetë në një Kupë Bote – për motivim, nuk mund të kërkosh më shumë”, u arsyetua De la Fuente.
Spanja do të zhvillojë dy ndeshje miqësore para Kupës së Botës kundër Irakut dhe Perus, përpara se të përballet me Kepin e Gjelbërt në ndeshjen hapëse më 15 qershor.
Dy ndeshjet e tjera të fazës së grupeve do të jenë kundër Arabisë Saudite dhe Uruguajit./GazetaExpress/
Pse të presësh, kur mundesh me hy direkt me Fast Lane? Si Sponsor Gjeneral i Sunny Hill Festival, Banka...