Misionet ndërkombëtare paqeruajtëse po përballen me vështirësi serioze për shkak të rënies së numrit të trupave, mungesës së financimeve dhe bllokimeve gjeopolitike, paralajmërojnë studiuesit.
Sipas një raporti të publikuar sot nga ”Stockholm International Peace Research Institute” (SIPRI), numri i paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara dhe personelit të angazhuar në operacione të ngjashme ra në vitin 2025 në nivelin më të ulët të paktën në 25 vitet e fundit.
Në fund të dhjetorit, në misionet ndërkombëtare të paqes ishin të dislokuar 78 633 persona, një rënie prej 49% krahasuar me një dekadë më parë.
Gjatë vitit të kaluar funksionuan 58 misione ndërkombëtare paqeruajtëse në 34 vende ose territore, tre më pak se në vitin 2024.
“Nëse kjo prirje vazhdon, mund të shohim një dobësim dramatik të menaxhimit shumëpalësh të konflikteve dhe një mënjanim pothuajse të plotë të institucioneve si Kombet e Bashkuara”, tha Jair van der Lijn, drejtor i Programit për Operacionet e Paqes dhe Menaxhimin e Konflikteve në SIPRI.
Sipas tij, kjo rënie është rezultat i një “stuhie të përsosur” faktorësh financiarë, politikë dhe gjeopolitikë.
Një nga shkaqet kryesore është mungesa e financimit prej 2 miliardë dollarësh me të cilën u përballën misionet paqeruajtëse të OKB-së gjatë vitit 2025. Sipas raportit, disa vende donatore nuk i përmbushën detyrimet e tyre financiare në kohë ose nuk i përmbushën plotësisht, duke detyruar OKB-në të reduktojë ndjeshëm personelin.
Van der Lijn paralajmëroi se pasojat afatgjata mund të jenë të rënda.
“Rezultati ka të ngjarë të jetë më shumë konflikte dhe pasoja edhe më të rënda për civilët, ndërsa shtetet braktisin normat e vendosura prej kohësh”. tha ai.
Raporti vëren gjithashtu se të 10 vendet kryesore kontribuese me personel ushtarak në operacionet shumëpalëshe paqeruajtëse vijnë nga vendet e Jugut Global.
Uganda ishte kontribuesi më i madh i personelit ushtarak gjatë vitit të kaluar, e ndjekur nga Nepal, Bangladesh dhe India. Në dhjetëshen e parë renditen gjithashtu Rwanda, Ethiopia, Burundi, Kenya, Pakistan dhe Indonesia.