Wayne Rooney ka kritikuar vendimin për t’u bërë “Guard of Honour” Bernardo Silvës dhe John Stonesit gjatë ndeshjes që Manchester City e humbi ndaj Aston Villës në javën e fundit të Premier League.
E diela në “Etihad” ishte ditë lamtumirash për Cityn, që përshëndeti Bernardo Silvën, John Stonesin dhe trajnerin legjendar Pep Guardiola. Me pak gjëra në lojë për vendasit, Guardiola zgjodhi një formacion të përzier në ndeshjen e tij të fundit në krye të skuadrës.
Aston Villa kaloi në avantazh në pjesën e parë me Antoine Semenyon, ndërsa pas pushimit Ollie Watkins shënoi dy herë për t’i dhënë ekipit të Unai Emeryt një fitore të madhe.
Momenti që shkaktoi debat erdhi kur Bernardo Silva u zëvendësua pak para minutës së 60-të. Të dyja skuadrat formuan një korridor nderi për portugezin, i cili u prek nga gjesti. E njëjta skenë u përsërit rreth 20 minuta më vonë, kur nga fusha doli edhe John Stones.
Rooney pranoi se të dy lojtarët meritojnë respekt për kontributin e tyre te Manchester City, por sipas tij një nderim i tillë nuk duhej bërë gjatë ndeshjes.
“Është e pabesueshme. Kam parë disa gjëra këtë sezon që më trishtojnë për mënyrën se si po ndodhin në futboll. Bernardo Silva dhe John Stones kanë qenë të jashtëzakonshëm për Manchester Cityn dhe e meritojnë, por bëjeni pas ndeshjes. Po të isha lojtar i Aston Villës, do të isha i tërbuar”, tha Rooney për BBC.
Edhe Alan Shearer ndau të njëjtin mendim. Ish-sulmuesi i Newcastle u shpreh i habitur që Aston Villa pranoi të merrte pjesë në ceremoni, sidomos kur kishte ende shumë minuta për t’u luajtur.
“Nuk jam adhurues i këtyre gjesteve gjatë kohës që ndeshja është ende në zhvillim”, tha Shearer.
Fitorja ishte shumë e rëndësishme për Aston Villën, pasi në lojë ishte ende një vend shtesë në Ligën e Kampionëve. Për këtë arsye, shumëkush e pa ceremoninë gjatë ndeshjes si të papërshtatshme, pavarësisht respektit të madh për legjendat e Cityt. /GazetaExpress/