Real Madridi ka nisur planet për merkaton e kësaj vere, e cila do të jetë e para pas 13 vitesh me José Mourinhon në krye të ekipit.
Trajneri portugez pritet të ketë fjalën e fundit për transferimet dhe tashmë ka disa emra që dëshiron t’i shtohen skuadrës që do të trashëgojë nga Álvaro Arbeloa.
Qendërmbrojtja dhe mesfusha konsiderohen si dy repartet ku Reali kërkon përforcime, pasi kanë pasur probleme në ato zona gjatë sezoneve të fundit.
Për mesfushën, Mourinho raportohet se ka kërkuar transferimin e yllit të Manchester Cityt dhe kombëtares së Spanjës, Rodri.
Ndërkohë, për mbrojtjen ai ka propozuar emrin e Alessandro Bastonit të Interit.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Bastoni kishte qenë objektivi kryesor defensiv i Barcelonës për muaj të tërë, por me negociatat që janë ftohur, Real Madridi mund të përfitojë nga situata.
Mbrojtësi italian thuhet se ishte shumë i interesuar për një kalim te Barcelona, por mungesa e progresit në bisedime me Interin e ka bërë të humbasë shpresat për atë transferim.
Megjithatë, ai ende mund të përfundojë në Spanjë, dhe një lëvizje drejt Real Madridit do të ishte një opsion që ai do ta mirëpriste.
Një qendërmbrojtës i majtë shihet si prioritet për Realin, sidomos pas largimit të konfirmuar të David Alabas këtë verë.
Aktualisht, Dean Huijsen është i vetmi opsion natyral në atë anë të mbrojtjes, edhe pse ai mund të luajë po aq mirë edhe në krahun e djathtë.
Për këtë arsye, Bastoni konsiderohet si një përforcim ideal për repartin defensiv që Mourinho do të ketë në dispozicion sezonin e ardhshëm.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse Real Madridi do të bëjë hapa konkretë për transferimin e tij gjatë merkatos së verës./GazetaExpress/