Ministri i Jashtëm i Polonisë tha se niveli i trupave amerikane do të mbetet përafërsisht i njëjtë, në mes të paqartësisë së krijuar pas njoftimit të presidentit amerikan, Donald Trump, se një njësit, në madhësinë e një brigade, në fakt do të dislokohet në këtë shtet të NATO-s.
Ministri Radoslaw Sikorski i bëri këto deklarata më 22 maj në Suedi, para bisedimeve të ministrave të Jashtëm të NATO-s. Në këtë takim merr pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Qëllimet e SHBA-së kanë shtuar edhe më shumë akthin rreth samitit, i cili veçse është lënë në hije nga një stërvitje e madhe bërthamore ruse në Bjellorusi dhe kërcënimeve të reja ruse ndaj shteteve baltike të NATO-s.
Sikorski e falënderoi Trumpin për “njoftimin e tij për rotacionin, se prania e trupave amerikane në Poloni, do të mbetet pak a shumë sikurse në nivelet paraprake”.
Një ditë më parë, përmes një postimi në rrjetet sociale, Trump, që publikisht ka vënë në pikëpyetje zotimet ushtarake të SHBA-së në Evropë, tha se Shtetet e Bashkuara do të dërgojë 5.000 trupa shtesë në Poloni.
Trump përmendi “zgjedhjen e suksesshme” të presidentit polak, Karol Nawrocki, i cili mori mandatin gushtin e vitit të kaluar, si një ndër arsyet kryesore.
Ndërkaq, Trump më herët gjatë këtij muaji tha se 5.000 trupa amerikane do të tërhiqen nga Gjermania. Më pas, Pentagoni konfirmoi se po shtynte një dislokim të planifikuar prej 4.000 trupash në Poloni dhe po ashtu vendosjen e një batalioni të raketave lundruese Tomahawk në Gjermani.
Javët e fundit, Trump është përplasur publikisht me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, veçmas lidhur me atë nëse NATO-ja duhet të luajë rol më të madh në luftën SHBA-Izrael kundër Iranit.
Pjesëmarrja e Rubios në takimin në Helsingborg – një port suedez përballë Danimarkës, vend anëtar i NATO-s – është një nga mbledhjet e fundit ministrore të nivelit të lartë para se liderët e aleancës të mblidhen për samitin në Ankara në korrik.
Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, Rubio pritet t’u bënte presion aleatëve për rritje të shpenzimeve për mbrojtje dhe “ndarje më të madhe të barrës”, duke u fokusuar njëkohësisht edhe te siguria në Arktik.
Por, takimi po mbahet në një moment shqetësimi të thellë. Zyrtarët evropianë po kërkojnë qartësi lidhur me shkallën e zvogëlimit të pranisë ushtarake amerikane në kontinent, pas një sërë lëvizjesh të Pentagonit që kanë tronditur aleancën./REL/
Reisebüro Prishtina kujdeset që udhëtimi juaj të jetë I lehtë dhe I sigurt. Me përvojë shumëvjeçare dhe mijëra klientë...